Princi Harry rikthehet në Britani - A do të ketë pajtim me Mbretin Charles?
Prej pesë vitesh, në zemër të Familjes Mbretërore ka pasur zemërim, mërzi dhe një përçarje të thellë familjare. Përplasja mes Mbretit Charles III dhe Duka i Sussex-it ka qenë e dhimbshme për të gjithë të përfshirët dhe është zhvilluar në sytë e publikut. Zgjidhja ka qenë e vështirë për t’u gjetur. Por ka shenja se tensionet po zbuten dhe një mirëkuptim i ri mes babait dhe djalit mund të jetë pranë.
Princi Harry do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar për më pak se dy javë. Ai ishte për herë të fundit këtu në prill, për një seancë gjyqësore lidhur me çështjen e sigurisë. Në atë kohë, babai i tij ishte në Itali për një vizitë shtetërore, kështu që mundësia e një takimi ishte e pamundur.
Këtë herë gjërat janë ndryshe. Jo shumë ndryshe, por nëse ndjekim faktet, ka shenja të një ndryshimi të lehtë në atmosferë.
Për fillim, Mbreti do të jetë në Mbretërinë e Bashkuar. Ai do të jetë në Skoci, në pronën e tij në Balmoral. Harry mund të shkojë në Skoci, por dihet se Mbreti udhëton rregullisht drejt jugut për trajtime kundër kancerit dhe angazhime zyrtare, duke lënë të hapur mundësinë për ta takuar të birin.
Takimi i fundit ndodhi më 6 shkurt 2024, menjëherë pasi Mbreti publikoi diagnozën e tij. Ishte një vizitë e shkurtër – në kuptimin e plotë të fjalës.
Duka i Sussex-it zbriti në Heathrow dhe u dërgua direkt në Clarence House. Ai e pa babain e tij për jo më shumë se gjysmë ore, përpara se të kthehej në SHBA të nesërmen në mëngjes.
Një tjetër element interesant është qasja e ekipit që përfaqëson tani Harry-n dhe bashkëshorten e tij Meghan, Dukeshën e Sussex-it, si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në SHBA.
Në korrik, Meredith Maines nga Los Anxhelos, e cila drejton ekipin e komunikimit për Harry-n dhe Meghan-in, udhëtoi drejt Londrës për të vizituar disa organizata bamirëse dhe media, përfshirë BBC News, së bashku me homologun e saj britanik, Liam Maguire.
Por nuk ishin këto takime që tërhoqën vëmendjen. Një fotograf i kapu në një klub privat me Tobyn Andreae, sekretari për komunikim i Mbretit. Fotot u botuan në Mail on Sunday nën titullin: “Samiti sekret i paqes së Harry-t”.
Si arriti fotografi të ishte aty në atë moment mbetet mister – të dyja palët mohojnë se e njoftuan. Një takim i tillë do të ishte i paimagjinueshëm disa vite më parë. Fakti që ata mund të uleshin së bashku dhe të diskutonin situatën tregon se të dyja palët dëshirojnë një ndryshim.
Gjithashtu ka përfunduar dhe çështja gjyqësore për sigurinë që ofronte Home Office kur Harry ndodhej në Britani – një çështje që ai e humbi.
Procesi gjyqësor ka qenë shumë shqetësues për Pallatin Buckingham, pasi u konsiderua si djali i Mbretit që padit qeverinë e Mbretit në gjykatat e Mbretit.
Gjatë kësaj periudhe, babë e bir nuk komunikuan. Por në maj, Harry, 40 vjeç, foli për BBC News në një intervistë ekskluzive me gazetaren Nada Tawfik.
“Do të doja një pajtim me familjen time,” tha ai. “Nuk e di sa kohë i ka mbetur babait tim. Ai nuk flet me mua për shkak të kësaj çështjeje të sigurisë... por do të ishte mirë të pajtoheshim.”
Për disa njerëz, këto fjalë tingëlluan të ashpra, veçanërisht për shëndetin e Mbretit, sidomos kur merret parasysh se ai, 76 vjeç, ka vijuar me një axhendë të plotë aktivitetesh gjatë trajtimit të kancerit dhe ka thënë se ndjen energji nga detyrat publike.
E gjitha kjo sugjeron një ndryshim të lehtë në atmosferë, një mundësi dhe gatishmëri për pajtim, pavarësisht historisë së fundit me përçarje dhe mosbesim.
Ndjesia se jeta është e shkurtër është përmendur dhe më parë.
Në kujtimet e tij më të shitura, Spare, një libër që ka ndezur shumë nga përçarjet familjare, Duka rrëfen një bisedë me babanë dhe vëllain pas funeralit të gjyshit të tij, Princit Philip, atëherë Duka i Edinburgut.
Biseda e tensionuar, shkruan Harry, përfundoi me një ndërhyrje nga babai i tyre: “Ai qëndroi mes nesh, duke parë fytyrat tona të skuqura: Ju lutem djem – mos i bëni vitet e mia të fundit të jenë një mjerim.”
Këto ishin fjalë të thëna para se të diagnostikohej me kancer, para se të bëhej Mbret, nga një burrë në të 70-at që përpiqej të gjente një rrugë në mes të një përçarjeje familjare.
Këto janë kujtimet e Harry-t për situatën dhe siç thuhet shpesh, “kujtimet mund të ndryshojnë”.
Mosbesimi mbetet një pengesë serioze. Pallati Buckingham do të kërkojë garanci që çdo detaj nga një takim familjar të mbetet privat. Nga të dyja palët, këtë javë mbizotëron një qëndrim i përbashkët për të mos komentuar fare publikisht mbi mundësinë e një takimi mes babait dhe djalit.
Pallati Buckingham ka vijuar me politikën e tij të moskomentimit për marrëdhëniet personale mes Mbretit dhe djalit të tij më të vogël. Ekipi i Harry-t dhe Meghan-it po ndjek të njëjtin qëndrim. Nuk ka asgjë për të ndarë zyrtarisht.
Por a është kjo heshtje e përbashkët një shenjë se, pas viteve me përplasje publike, ky kapitull i ri – ndoshta i një pajtimi – do të ndodhë larg kamerave, pa bujë?
Fillimisht, do ta shohim Harry-n në Londër më 8 shtator, kur ai do të marrë pjesë në ceremoninë e çmimeve të WellChild. Ai ka qenë mbështetës i kësaj bamirësie që ndihmon fëmijët rëndë të sëmurë dhe familjet e tyre, për 17 vjet.
“Është gjithmonë një privilegj të marrësh pjesë në çmimet WellChild dhe të takosh fëmijët, familjet dhe profesionistët e mrekullueshëm që na frymëzojnë të gjithëve me forcën dhe shpirtin e tyre,” tha ai duke njoftuar rikthimin e tij në MB. “Historitë e tyre na kujtojnë fuqinë e dhembshurisë, lidhjes dhe komunitetit.”
Kjo do të shënojë fillimin e disa ditëve me angazhime për Harry-n, ku ai do të theksojë lidhjen e tij me Mbretërinë e Bashkuar dhe organizatat që mbështet këtu. Edhe pse është zhvendosur në SHBA, ai ka mbetur një mbështetës aktiv i disa bamirësive.
Në maj, ai bëri një “donacion personal të rëndësishëm” për një bamirësi në Nottingham për të financuar paketa ushqimore për familje në nevojë. Në Ditën e Përkujtimit, bamirësia Scotty’s Little Soldiers – që mbështet fëmijët që kanë humbur një prind në ushtri – mori ëmbëlsira nga Harry për të gjithë fëmijët që morën pjesë në marshimin ushtarak./BBC-Syri.NET