Bardhi: Rama mbron bandat dhe sulmon gjyqtarët, është kundër ligjit dhe interesit publik
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të Kryeministrit Edi Rama për sistemin e drejtësisë, duke e akuzuar se shtrembëron qëllimisht rolin e institucioneve si KLGJ dhe ndërhyn në punët e gjyqësorit.
Në një postim në FB, Bardhi thekson se përpara se Rama të japë leksione për drejtësinë, duhet të kuptojë rolin e tij si Kryeministër, i cili sipas tij është të luftojë bandat, jo t’i bëjë pjesë të qeverisjes; t’i shkatërrojë ekonomikisht, jo t’u japë licenca, tendera e koncesione; të luftojë korrupsionin, jo ta legjitimojë atë me projekte si inceneratorët që “nuk ekzistojnë”; të gjykohet nga drejtësia, jo të gjykojë ai gjyqtarët dhe prokurorët.
Postimi në FB:
Edi Rama përpara se të “shtrembërojë” nga padija e thellë rolin e KLGJ, bën mirë të kuptojë rolin e tij:
- Është për të luftuar bandat, jo për ti ulur në qeverisje;
- Është për ti shkatërruar ekonomikisht bandat, jo për ti dhënë licenca, tendera, koncesione apo leje ndërtimi;
- Është për të luftuar korrupsionin, jo për të ligjeruar atë përmes projekteve si inceneratorët që nuk ekzistojnë;
- Është për tu gjykuar nga prokurorët e gjykatësit; jo për ti gjykuar ai ato!
Prandaj bën mirë që përpara se të gjykojë gjyqtarë e prokurorë që nuk i vijnë pas avazit apo humorit të tij, të kujtohet se asnjë Kryeministër në Europë, nuk komenton e jo më të sulmojë gjyqtarë e prokurorë specifik për çështje specifike.
Dhe boll harxhoi kohën me çështje që as i kupton dhe as mundet ti kuptojë, sepse Edi Rama është gatur si “antiligji” dhe “anti interesi publik”!