SYRI TV/ Ishte pa leje ndërtimi, shembet me tritol resorti i Ardian Halilit
Forcat xheniere kanë shembur me tritol këtë të premte resortin e ndërtuar pa leje nga Ardian Halili, ish-kreu i IMT Durrës. Shembja erdhi dy ditë pas arrestimit të Halilit nga policia. Sipas policisë, ndërtimi i resortit ka nisur në vitin 2018, ndërkohë që Halili e ka mbajtur postin deri në vitin 2021. Kompleksi i cili ishte shtrirë në 5600 metra tokë, kishte 11 hapësira pushimi, pishinë dhe një fushë minifutbolli. 55-vjeçari Halili, i vënë tashmë në pranga, do të dalë para gjykatës për 3 akuza.
Ky është momenti i shembjes me tritol të resortit turistik të ish-kreut të IMT në Durrës, Ardian Halili në Ishëm. Resorti është shembur nga forcat xheniere këtë të premte me shpërthim të komanduar. Kompleksi turistik nisi të ndërtohej në vitin 2018, kohë në të cilën Halili mbante postin e drejtuesit të IMT.
Ardian Halili u arrestua të mërkurën nga Policia e Durrësit dhe akuzohet për 3 vepra penale: ‘Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi’, ‘Korrupsion i zyrtarëve të lartë’ dhe ‘Shpërdorim i detyrës’. 55-vjeçari u arrestua nga policia pasi po vijonte të kryente punime në resortin e tij ‘Saint Michelle Residence’.
Sipas policisë, i gjithë objekti ka 11 kabina pushimi tip garsoniere, një godinë tjetër dykatëshe, një fushë minifutbolli, një pishinë dhe 5600 metra tokë.
Ardian Halili ka mbajtur postin e kreut të IMT në Durrës nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe aktualisht ushtronte profesionin e avokatit.