SYRI TV/ Naun Shundi përcillet për në banesën e fundit
Mes nderimeve është përcjellë për në banesën e fundit aktori, regjisori dhe dramaturgu i njohur shqiptar, Naun Shundi. Ai u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare, pas një beteje të shkurtër, por të vështirë me një sëmundje të rëndë. Homazhet për aktorin e njohur u mbajtën te Teatri Kombëtar ku nuk munguan miq e figura të spikatura të ekranit shqiptar.
Aktori i njohur Naun Shundi, një nga figurat më të shquara të skenës dhe ekranit shqiptar, u përkujtua me respekt dhe nderim në një ceremoni homazhesh ku morën pjesë personalitete të shumtë. Homazhet për artistin e ndjerë u zhvilluan në Teatrin Kombëtar, vendin ku aktori realizoi qindra role. Ai u përcoll nga familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë, të cilët theksuan profesionalizmin, seriozitetin dhe dashurinë e madhe të aktorit për skenën.
Mes lotësh, vajza e tij, Rea Shundi, tha se ai ishte një njeri i sakrificave që i dha shumë artit.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për ndarjen nga jeta të Naun Shundit. Në një postim në Facebook, Berisha ka shprehur ngushëllimet më të ndjera për familjen, miqtë dhe komunitetin artistik, duke e cilësuar ndarjen nga jeta të Shundit si një humbje të pazëvendësueshme për kulturën shqiptare.
Dielli perëndoi përgjithmonë për Naun Shundin! Të dashur miq, Naun Shundi, aktor dhe dramaturg i shquar dhe një prind, bashkëshort dhe qytetar shembullor iku përgjithmonë në jetën e përjetshme. Duke shprehur nderimin tim më të thellë dhe ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të respektuar, miqve dhe të afërmve të tij për humbjen e pazëvendësueshme, dua të theksoj se ndarja e Naun Shundit nga jeta është humbje e rëndë edhe për Teatrin, skenën, artin dhe kulturën dhe të gjithë kombin tonë. Naun Shundi do të jetojë gjithnjë në veprën e tij.
Ai nuk do të kujtohet vetëm si aktori i madh i roleve gjithë ngjyra e mjeshtëri, por edhe si artisti që mbrojti me guxim të vërtetat e mëdha që besonte. I ndritur dhe i paharruar roli në skenë dhe në jetë i tij!
Naun Shundi u nda nga jeta më 28 gusht në moshën 66-vjeçare, pas një beteje të shkurtër, por të vështirë me një sëmundje të rëndë. Pas diagnostikimit, Shundi u dërgua për trajtim më të specializuar në një spital në Francë, ndërsa më pas u rikthye në Shqipëri, aty ku edhe ndërroi jetë.