VIDEO/ Fermerët e ndjekin me traktorë nga pas, kryeministri i Australisë largohet me shpejtësi

Kryeministri i Australisë Anthony Albanese u largua me ngut nga Samiti Vjetor i Zonave Rurale (Bush Summit) në Ballarat, pasi u ndjek nga një karvan traktorësh dhe automjetesh protestues. Fermerët dhe zjarrfikësit vullnetarë manifestuan kundër taksës së re për shërbimet emergjente dhe planet e qeverisë për energji të rinovueshme.

Pamjet e siguruara nga Herald Sun tregojnë kortezhin e Kryeministrit duke u ndjekur përgjatë Midland Highway, në një atmosferë të tensionuar dhe të zhurmshme pranë Ballarat Civic Hall, ku Albanese dhe Kryeministrja e Viktorias, Jacinta Allan, mbajtën fjalimet e tyre.

Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe të forta si ‘shove your levy up your arse’ dhe ‘scrap the tax’, ndërsa senatorja Nationals, Bridget McKenzie, u shfaq me traktor dhe pankartën ‘stop Labor’s towers’, duke kritikuar politikat e energjisë së rinovueshme që, sipas saj, po industrializojnë tokat bujqësore.

Në një seancë pyetje-përgjigje gjatë samitit, Kryeministri u ndërpre shpesh nga fermerët e zemëruar, teksa diskutonte ndikimin e projekteve të rinovueshme në komunitetet rurale. Ai iu përgjigj në mënyrë të prerë duke thënë: ‘Nuk do t’u them njerëzve budallallëqe’.

Megjithë prezantimin e një pakete financiare prej 1 miliard dollarësh për fermerët në formë kredish me interes të ulët, protesta thekson tensionet e thella mes zonave rurale dhe qeverisë për politikat fiskale dhe ambientale.

Ngjarja nxjerr në pah ndarjen mes interesave të komuniteteve rurale dhe planifikimeve qeveritare, teksa fermerët kërkojnë më shumë përfaqësim dhe respekt për mënyrën e jetesës së tyre.