Hungaria refuzon të dënojë sulmin rus ndaj Kievit që dëmtoi ndërtesën e BE-së

Hungaria ka refuzuar të nënshkruajë një deklaratë të Bashkimit Evropian që dënon sulmin e fundit rus ndaj Ukrainës, i cili vrau 23 persona, përfshirë disa fëmijë, dhe shkaktoi dëme në përfaqësinë e BE-së në Kiev dhe ambientet e Këshillit Britanik. Dokumenti, i përgatitur nga Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas, u mbështet nga 26 shtete anëtare, duke lënë jashtë vetëm Hungarinë.

Në deklaratë, sulmet u quajtën krime lufte dhe u theksua se “komandantët, autorët dhe bashkëpunëtorët e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare do të mbahen përgjegjës”. Vendet nënshkruese premtuan mbështetje të shtuar për Ukrainën, duke përfshirë punën për paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje gjithashtu për masa më të ashpra ndëshkuese ndaj Moskës. Ndërkohë, nuk është bërë ende e qartë pse Hungaria refuzoi nënshkrimin, megjithëse qeveria e Viktor Orbán ka kundërshtuar sistematikisht mbështetjen financiare dhe ushtarake për Kievin.

Marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Ukrainës mbeten të tensionuara, veçanërisht pas bombardimit të tubacionit Druzhba, që ndërpreu përkohësisht furnizimin me naftë në Hungari dhe Sllovaki. Budapesti i ndaloi hyrjen në territorin e tij komandantit ukrainas të dronëve, Robert Brovdi, duke zgjeruar masën edhe në gjithë zonën Shengen.

Në të kaluarën, Hungaria ka vënë shpesh veto ndaj deklaratave të përbashkëta të BE-së mbi Ukrainën, por 26 vendet e tjera kanë filluar të anashkalojnë kundërshtimet e saj, duke nxjerrë qëndrime të përbashkëta në emrin e tyre. Kjo është hera e dytë brenda dy javësh që Hungaria refuzon të mbështesë publikisht Ukrainën në dokumentet e BE-së.