Franca përballet me kaos ajror: Sindikata më e madhe e kontrollorëve shpall grevë
Planet e udhëtimit për mijëra pasagjerë pritet të ndërpriten në shtator, pasi sindikata më e madhe e kontrollit të trafikut ajror në Francë, SNCTA, ka shpallur një grevë 24-orëshe. Aksioni sindikal do të zhvillohet nga mëngjesi i 18 shtatorit deri në fund të 19 shtatorit, duke prekur ndjeshëm qarkullimin ajror në vend dhe më gjerë.
SNCTA, që përfaqëson rreth 60% të kontrollorëve të trafikut ajror në Francë, e justifikoi vendimin me ndërprerjen e dialogut me Autoritetin e Aviacionit Civil të Francës (DGAC). Në një deklaratë, sindikata denoncoi “mosbesimin, praktikat ndëshkuese dhe metodat degraduese të menaxhimit”, duke theksuar se çdo perspektivë për reformë është e bllokuar.
Kontrollorët e trafikut ajror në aeroportet kryesore, përfshirë Paris Charles-de-Gaulle, janë thirrur të marrin pjesë, ndërsa sindikatat e tjera, UNSA-ICNA dhe USAC-CGT, nuk kanë konfirmuar ende nëse do t’i bashkohen aksionit. Pavarësisht kësaj, shumë fluturime nga dhe drejt Francës, si dhe ato që kalojnë hapësirën ajrore franceze – përfshirë linjat nga Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Italia – pritet të preken rëndë.
Autoriteti i Aviacionit Civil do të publikojë detajet e sakta për vonesat dhe anulimet dy ditë para grevës. Pasagjerëve u bëhet thirrje të kontrollojnë oraret, të qëndrojnë në kontakt me linjat ajrore dhe të lënë kohë shtesë për udhëtime.
Gjatë grevës së fundit, më 3-4 korrik, mbi një milion pasagjerë në Evropë u prekën nga anulime dhe vonesa, duke i kushtuar kompanive ajrore qindra miliona euro. Këtë herë, përfshirja e SNCTA ngre shqetësime se ndikimi do të jetë shumë më i madh.
Sindikatës po i kërkohet rritje e pagave në përputhje me inflacionin dhe një reformë rrënjësore në menaxhimin e DGAC. SNCTA theksoi se greva është “mjeti i fundit” pasi dialogu social nuk ka dhënë rezultate.