‘Afera e shekullit...’/ Këlliçi zbërthen skemën 400 mln euro të inceneratorëve: Veprat fantazmë të korrupsionit qeveritar
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka risjellë në vëmendje çështjen e inceneratorëve, një nga aferat më të mëdha korruptive në qeverinë e Ramës, duke theksuar dështimin e strategjisë qeveritare për menaxhimin e mbetjeve.
Në intervistën e dhënë në edicionin e pasdites në Syri TV, Këlliçi përmendi debatet në komisionin hetimor dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për shpikjen e një strategjie të re që çoi në projektet e incenerimit, projekte që sot, sipas Këlliçit, përfaqësojnë ngrehina bosh, qendra fiktive energjie dhe simbole të korrupsionit qeveritar.
Belind Këlliçi: Kush e mban mend komisionin hetimor të inceneratorëve, mban mend edhe debatet që kemi patur në komision me kryeministrin, në raport me strategjinë fillimisht, pse u desh të ndërrohej strategjia dhe të kalohej në incenerim, në djegie. Dhe po ta mbani mend, t’i rikthemi në vëmendje deklaratave të kryeministrit në 2013-2014 kur shpalli emergjencën kombëtare mjedisore, kur në emër të mbetjeve në gjithë qytetet e Shqipërisë, ai kërkoi një reformë të thellë, një strategji të re dhe shpiku inceneratorët që deri atëherë nuk e kishim dëgjuar.
Shpalli 3 projekte kombëtare sepse kjo është një strategji kombëtare e Edi Ramës për të trajtuar mbetjet me të cilët ai do të bënte përpunimin e mbetjeve, djegien dhe prodhimin e energjisë dhe depozitimin e të gjithë mbetjeve në të gjithë landfillet dhe nëpër 3 inceneratorët kryesorë që ai kishte në projekt, që ishte Elbasani 22 milionë euro, më pas Fieri që ishte 28 milionë...në fakt kanë shkuar mbi 400 milionë euro deri tani, para të paguara. 128 milionë ishte Tirana, por që i ka kaluar 185 deri tani dhe që kryevepra e vjedhjes ka qenë inceneratori i Tiranës.
Nëse kemi në Elbasan një ngrehinë, që fillimisht ju e kujtoni që në vitin 2016 në mos gaboj për denoncimet e para që janë bërë për këtë aferë, sot ne kemi në Elbasan një ngrehinë, një karabina të madhe të ndërtuar me vajgur e cila nuk prodhon asgjë, ka dyfishuar tarifën e pastrimit të qytetit. Është marrë nën administrim nga një kamikaz i Edi Ramës siç është Gledian Llatja në Bashkinë e Elbasanit dhe nuk është prodhuar asnjë kilovat energji.
Ndërkohë, e njëjta gjë, janë paguar thuajse të gjitha paratë në Fier, por aty ka një ndryshim duke qenë se kjo është aferë edhe më e madhe korruptive dhe ishte dhe modeli i suksesit i shpallur nga Rama. Aty ka dorë edhe Belinda Balluku, dhe ka dorë edhe Armando Subashi por refuzojnë ta marrin nën administrim sepse e dinë se çfarë patate e nxehtë është, pavarësisht se bashkë me Edi Ramën kanë vjedhur paratë. Kemi sërish një ‘monument korrupsioni’, një ndërtesë betoni që nuk i shërben askujt.