SYRI TV/ Bie numri i pushuesve në plazhin e Orikumit, shkak mungesa e investimeve nga bashkia
Vitet e fundit plazhi i Orikumit po përballet me ulje të numrit të turistëve të cilët zgjedhin këtë plazh si destinacion për të kaluar pushimet. Pushues dhe banorë të zonës thonë se arsyeja kryesore mbetet mungesa e investimeve nga bashkia. Sipas tyre ajo që flitet nga qeveria për turizmin nuk është asgjë tjetër veçse propagandë. Pushues dhe banorë kërkojnë që pushteti lokal të kthejë sytë nga problemet me të cilat po përballet plazhi i Orikumit.
Pushuesit dhe banorët e Orikumit ndihen të zhgënjyer nga turizmi në këtë plazh, i cili dikur ishte një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët. Mes mungesës së investimeve sot plazhet në këtë zonë janë bosh dhe pa pushues. Banorët shprehen se kjo situatë lidhet me infrastrukturën e dobët rrugore përgjatë vijës bregdetare, mungesën e ujit të pijshëm dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e numrit të turistëve.
Gjithashtu banorët ankohen edhe për mungesën e pastërtisë në plazhe, ku thonë se nuk mirëmbahen dhe nuk pastrohen nga institucionet përkatëse. Ndërsa shtojnë se Bashkia e Vlorës dhe qendra administrative janë tërësisht inekzistente për Orikumin dhe pa ndonjë investim turistik. Sipas tyre ajo që thuhet nga qeveria për turizmin, nuk është asgjë tjetër veçse propagandë.
Në ditët e fundit të muajit gusht, në Orikum shihen plazhe të boshatisura dhe biznese të mbyllura, për këtë arsye ky destinacion po humb çdo vit nga vlera turistike që dikur e bënte të preferuar si për vendasit ashtu edhe për të huajt.