Shumë zhurmë për të fjetur: Cili vend i BE-së është më i prekur nga ndotja akustike?

Ndotja akustike është bërë një nga rreziqet më serioze për shëndetin publik në Evropë, duke prekur miliona qytetarë. Çrregullimet e gjumit, sëmundjet kardiovaskulare dhe problemet mendore janë pasojat më të shpeshta të ekspozimit ndaj niveleve të larta të zhurmës. Sipas raportit të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), rreth 112 milionë njerëz në Bashkimin Evropian rrezikojnë probleme të rënda shëndetësore afatgjata për shkak të ndotjes akustike.

Trafiku rrugor rezulton burimi kryesor i këtij ndotjeje, duke ndikuar tek 92 milionë persona. Pas tij, zhurma hekurudhore prek 18 milionë qytetarë, ndërsa ajo ajrore rreth 2.6 milionë. Franca kryeson listën me 24 milionë të ekspozuar ndaj zhurmës së transportit mbi kufirin e sigurisë së BE-së, ndërsa gjatë natës Gjermania mban vendin e parë me 15 milionë të prekur. Në raport me popullsinë, Luksemburgu paraqet përqindjen më alarmante: 70% e qytetarëve janë të ekspozuar ndaj zhurmës ditën dhe gjysma e popullsisë gjatë natës.

Zhurma e transportit shoqërohet me rritje të vdekshmërisë dhe sëmundjeve kronike. EEA paralajmëron se çdo vit, ajo kontribuon në 66 mijë vdekje të parakohshme, 50 mijë raste të reja të sëmundjeve të zemrës dhe 22 mijë raste të diabetit të tipit 2. Fëmijët janë ndër më të rrezikuarit, pasi ndotja akustike ndikon negativisht në të kuptuarin e leximit, sjelljen dhe mund të çojë deri në obezitet.

Raporti thekson se edhe pse zhurma hekurudhore prek aktualisht më pak njerëz se trafiku rrugor, ndikimi i saj pritet të rritet për shkak të rritjes së aktiviteteve, trenave më të shpejtë dhe infrastrukturës së re.

Për të reduktuar rreziqet, EEA rekomandon investime në transport më të qetë, planifikim urban më të kujdesshëm dhe zgjerim të hapësirave të gjelbra në qytete. Ekspozimi ndaj tingujve natyrorë, si kënga e zogjve apo rrjedhja e ujit, ndihmon në uljen e stresit dhe bezdisjes së shkaktuar nga zhurma e përhershme. Sa i përket transportit ajror, masa kryesore e propozuar është vendosja e shtetrrethimit gjatë natës në të gjitha aeroportet evropiane.