SYRI TV/ Goro shlyen dënimin dhe pastron imazhin e Gaçit, u dënua për pronat që i dha Artan Gaçit
Një nga aferat më flagrante të abuzimit të pushtetit me pronat, përfundon me dënimin me 2 vite burg të një ish-kryebashkiaku i cili qëndroi vetëm 1 vit e disa muaj prapa hekurave. Jorgo Goro ka lënë më 12 gusht qelinë pasi shleu dënimin, pas një procesi me polemika ku SPAK insistoi të mos hetonte Olta Xhaçkën e Artan Gaçin, investitorët strategjik që fituan mijëra metra katror prona në një nga zonat më të lakmuara të vendit, e ndonëse nën sekuestro, ndërtimi i resorit luksoz vijon.
Nga SYRI TV
Jorgo Goro ka përfunduar dënimin me 2 vite e 20 ditë burg, ku prapa hekurave kaloi vetëm 1 vit e disa muaj.
Ndonëse për një nga aferat më flagrante të abuzimit të pushtetit me pronat dhe përfitimet mbi falsifikime, me sa duket Goro pastroi edhe imazhin e çiftit të bashkëshortëve Artan Gaçi e Olta Xhaçka me drejtësinë. Këta të fundit ishin përfitues të mbi 10 mijë m2 tokë në Dhërmi, ku nisi të ndërtohej një resort luksoz, me bekimin e kryeministrit Edi Rama që iu dha statusin e investitorit strategjik.
Një pronë e përfituar siç provuan hetimet, mbi shkresa e dokumenta të flasifikuara, për të cilat u bënë përgjegjës disa zyrtarë dytësor lokal. Gjatë hetimeve Jorgo Goros iu zbulua edhe një apartament në Tiranë të cilin nuk e kishte deklaruar duke iu ngarkuar edhe akuza për fshehje pasurie.
E ndonëse ish-kundërshtari i tij Fredi Beleri insistonte të nxirrte në pah aferën që përfshinte investitorët strategjik që Rama i kishte në Kuvend dhe kabinetin e qeverisë, SPAK këmbëngulte se Artan Gaçi e Olta Xhaçka nuk kishin kryer veprime të kundraligjshme.
Apeli i Posaçëm Antikorrupsion, në vendimin e arsyetur që urdhëronte SPAK të hetonte çiftin, pasi kishte dyshime të arsyeshme për veprime të paligjshme, thoshte se gjetjet e Fredi Belerit janë indicie domethënëse për të kryer hetime shterruese pasi ekziston mundësia e faktit penal. Por SPAK përfundimisht në një kohë tepër të shkurtër vendosi prerazi se nuk kishte vepër penale. Por teksa duket se me këtë dosje Artan Gaçi i lau duart me drejtësinë, hesapet e ish-zyrtarit vendor nuk janë mbyllur.
Shkalla e Parë e GJKKO-së e ka dënuar Goron me 1 vit e 4 muaj burg me gjykim të shkurtuar po për shpërdorim detyre lidhur me tjetërsimin e një sipërfaqe toke këtë herë në zonën e Livadheve. Ai ia kaloi rreth 4 mijë m2 tokë në mënyrë të paligjshme Arqile Bollanos, ish-kryebashkiak i komanduar i Himarës për disa kohë pas arrestimit të Jorgo Goros.
Për këtë dosje pritet vendimi i Apelit, i formës së prerë ku në rast se mbetet në fuqi, ish-zyrtari i lartë duhet të rikthehet në qeli. Per dosjen e parë Goro u arrestua ne mars te vitit 2024 ndërsa për dosjen e dytë është hetuar e gjykuar pa masë sigurie.