SYRI TV/ Nisin regjistrimet për në Universitet, matematika dhe fizika vuajnë mungesën e studentëve
Maturantët fitues në universitetet publike dhe private, nga sot 29 gusht deri më 11 Shtator, do të mund të regjistrohen në fakultetet përkatëse. Edhe këtë vit, degët që vuajnë më shumë janë mësuesia dhe Shkencat e Natyrës, ndërsa rënie të aplikimeve kanë edhe degët më të kërkuara si Informatika apo Teknologji Informacioni dhe Komunikimi.
Duke nisur nga kjo e premte, 29 gusht, deri më 11 Shtator, nëpërmjet 7 fazave 48-orëshe, maturantët fitues në universitetet publike dhe private, do të mund të regjistrohen në fakultetet përkatëse. Largimet masive të të rinjëve drejt emigrimit, kanë bërë që edhe këtë vit, numri i aplikantëve dhe fituesve të jetë më i vogël se një vit më parë. Vendi ynë po vuan mungesën e mësuesve të ardhshëm, si një nga degët që vit pas viti rrezikon mbylljen, për shkak të mungesës së studentëve.
Sa i përket kërkesave, programi i mësuesisë si përqindje nuk i kalon 7.5, duke vijuar trendin në rënie të viteve të mëparshme. Shkaqet janë nga më të ndryshme, që nga largimet masive, sic u përmend, po ashtu edhe tek mungesa e vlerësimit për të profesion të tillë, që vit pas viti i ka rënë vlera. Degë të tjera të cilat vuajnë mungesën e studentëve, janë ato të shkencave të natyrës, si matematika dhe fizika. Vendit tonë gjithë e më shumë po i largohen fizikantët dhe matematicienët, dicka e vërtetuar edhe nga aplikimet e kryera për këtë vit të ri akademik. Matematika ka 77 aplikime me pak se viti i kaluar, ndërsa fizika 12 aplikime më pak.
Rënie të konsiderueshme kanë pësuar edhe degët më shumë të kërkuara në tregun e studimeve si Informatika, me rreth 500 aplikime më pak dhe Teknologji Informacioni dhe Komunikimi me rreth 400 aplikime më pak.
Rënie kanë pësuar edhe degë të tilla si Historia, gjeografia apo gjuhë letërsia, të cilat në total së bashku kanë rreth 150 aplikime më pak se një vit më parë. Ndërkohë sa i përket procesit të regjistrimit, cdo maturant i shpallur fitues ka dy ditë kohë për t’u regjistruar, përndryshe vendi i tij i kalon automatikisht një kandidati në pritje. Pas përfundimit të fazave, do të ketë edhe një periudhë çregjistrimi për ata që dëshirojnë të ndryshojnë degën dhe të rikthehen në garë për raundin e dytë.