Franco Foda publikon listën për kualifikueset e Botërorit 2026, rikthime dhe emra të rinj te ‘Dardanët’
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka shpallur sot (e premte) listën me futbollistët e ftuar për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Dardanët do të përballen fillimisht me Zvicrën më 5 shtator në transfertë, ndërsa më 8 shtator do të presin Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Për këto dy duele vendimtare të Grupit B, trajneri gjerman ka zgjedhur 26 lojtarë, me të cilët synon të sigurojë rezultate pozitive dhe të mbajë gjallë shpresat për Botërorin.
Në listë nuk mungojnë liderët e ekipit si Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Amir Rrahmani, Valon Berisha dhe Mërgim Vojvoda, të cilët pritet të mbajnë peshën kryesore të skuadrës.
Nga ana tjetër, Foda ka përfshirë edhe emra të rinj si Leon Avdullahu dhe Veldin Hodza, ndërsa ftesë kanë marrë gjithashtu Dion Gallapeni, Florian Haxha dhe Baton Zabërgja.
Në listën rezervë bëjnë pjesë: Faton Maloku, Leard Sadriu, Ron Raqi, Andi Hoti, Donat Rrudhani, Kreshnik Hajrizi, Ismet Lushaku, Behar Neziri, Kreshnik Krasniqi, Lirjon Abdullahu, Bledian Krasniqi dhe Rilind Nivokazi.