ISIS tentoi të vriste Papa Françeskun në Trieste, zbulohet atentati i dështuar në 2024! Arrestohet turku në Holandë

Militantë turq të ISIS kishin planifikuar të vrisnin Papa Françeskun gjatë vizitës së tij në Trieste më 7 korrik 2024.

Këtë e ka zbuluar një hetim i publikuar ekskluzivisht nga gazeta italiane Il Piccolo. Ati i Shenjtë kishte mbërritur në Friuli Venezia Giulia për të marrë pjesë në mbylljen e Javës shoqërore të Katolikëve në Itali (e 50-ta). Një ditë para këtij aktiviteti në një bar të stacionit hekurudhor u gjetur një armë zjarri brenda një valixhjeje të braktisur.

Zbulimi i armës ngjalli dyshime se ajo ishte lënë aty enkas për t’u përdorur më pas, çka vuri në lëvizje hetimet dhe shërbimet e inteligjencës. Pikërisht nga këto kontrolle ka dalë një shënim ku flitet për një «projekt të mundshëm atentati kundër Papës».

Arrestimi në Holandë

Sipas Il Piccolo, Interpoli arrestoi në Holandë një nga të dyshuarit, turkun Hasan Uzun, 46 vjeç, në një operacion të lidhur drejtpërdrejt me hetimet italiane. Ai u ekstradua në Itali dhe aktualisht mbahet në izolim në burgun e Triestes. Sipas burimeve të brendshme, Uzun është treguar i qetë, megjithëse flet shumë pak anglisht. Autoritetet dyshojnë se atentati ishte organizuar nga një grup turk i lidhur me ISIS-Khorasan. Pas ekstradimit, Uzun qëndroi për disa ditë në burgun e Milanos përpara se të transferohej në Trieste.

Armë e gatshme për përdorim

Hetuesit e identifikuan Uzunin si personin që më 6 korrik, një ditë para vizitës së Papës, kishte sjellë armën në qytet brenda një valixhjeje. Nuk është ende e qartë nëse identifikimi u bë përmes kamerave të sigurisë apo përmes informacioneve të tjera të inteligjencës. Arma ishte një pistoletë automatike Luger kalibër 9 (model 7B me numër serie 5793N), e pajisur me karikator dhe 14 fishekë.

Lajmi për gjetjen e armës u dha fillimisht nga Tg1 dhe më pas u përhap në të gjithë botën, por hetimet vazhduan në heshtje nën drejtimin e Prokurorisë së Triestes.

Avokatja e të dyshuarit

Avokatja Lucrezia Chermaz, që asiston Hasan Uzunin sqaroi se nuk ka marrë ende dokumentet hetimore, por është takuar dy herë me klientin e saj, duke komunikuar me vështirësi në anglisht, dhe në ditët në vijim do të takohet me të në praninë e një përkthyesi turqisht. «Për momentin kemi biseduar vetëm për çështje operative të mbrojtjes, jo për akuzat konkrete, për shkak të barrierave gjuhësore», theksoi ajo. /Corriere della Sera