PL: Qeveria Rama vazhdon të djegë miliona euro për inceneratorë që nuk djegin mbetje, por taksat e shqiptarëve
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, në një deklaratë për median, ka reaguar ndaj asaj që e cilësoi si skema e re e qeverisë për të mbuluar skandalin e inceneratorëve.
Ajo akuzon kryeministrin Rama se pas shpërdorimit të 430 milionë eurove nga buxheti i shtetit për projekte që nuk funksionuan kurrë, tani po përpiqet të rikrijojë një mekanizëm kontrolli për të vazhduar abuzimet me fondet publike.
Haxhiu deklaroi se “Operatori i Menaxhimit të Mbetjeve”, një institucion i ri i prezantuar nga qeveria, është një fasadë që i jep pushtetit qendror kontroll absolut mbi kompetencat e bashkive, duke përfshirë edhe ato për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.
Sipas saj, kjo është një përpjekje e qartë për të shuar vetëqeverisjen vendore dhe për të shndërruar bashkitë në klientë të një ndërmarrjeje qendrore që u imponon tarifa të kripura për shërbime të dështuara.
“Qeveria Rama vazhdon të djegë miliona euro për inceneratorë që nuk djegin asnjë kilogram mbetje, por vetëm taksat e shqiptarëve”, tha Haxhiu, duke renditur projektet e dështuara në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
Deklarata e plotë:
Edi Rama pasi zbrazi buxhetin e shtetit me 430 milionë euro në aferën e inceneratorëve, shpik një strategji të re. Na prezantoi të ashtuquajturin Operator i Menaxhimit të Mbetjeve. Ky institucion qendror është vetëm një fasadë për të përqendruar të gjitha kompetencat në duart e qeverisë dhe për të vazhduar abuzimin me fondet publike.
Skandali i inceneratorëve është shëmbëlltyra më e pastër e mënyrës se si kjo qeveri e Edi Ramës ka trajtuar shtetin: një makineri vjedhjesh të organizuara, ku qindra milionë euro të taksave të shqiptarëve u zhdukën në projekte fantazmë, të cilat nuk funksionuan kurrë.
Modeli i inceneratorëve është denoncuar në vazhdimësi nga Partia e Lirisë si një skemë e dështuar, korruptive dhe në kundërshtim me praktikat europiane. Kemi denoncuar se këto projekte janë kthyer në një varr të hapur për financat publike. Në Elbasan kemi një karabinë të braktisur, në Fier një impiant të paligjshëm që nuk ka punuar asnjë ditë, në Tiranë një fantazmë që nuk ekziston. Dhe megjithatë, qeveria vijon të djegë miliona euro çdo vit për këto “inceneratorë” të cilët nuk djegin asnjë kilogram mbetje, por vetëm taksat e shqiptarëve.
Kryeministri po u rrëmben bashkive kompetencat si në menaxhimin e mbetjeve, ashtu edhe në dhënien e lejeve të ndërtimit. Bashkitë po shndërrohen në klientë të një ndërmarrjeje qendrore, të detyruara të paguajnë fatura të kripura për shërbime të dështuara, pa të drejtë fjale e pa asnjë kontroll. Ky është fundi i vetëqeverisjes vendore dhe kthimi i pushtetit lokal në vegël të bindur të pushtetit qendror.
Në vend që të mbajë përgjegjësi për vjedhjet me inceneratorët, qeveria Rama kërkon t’a shmang incenerimin në fjalën e tij. Shpërdorimin e gjysëm miliard eurove , Narkoqeveria përpiqet t’a fshehë me prezantime të bukura dhe premtime boshe për integrim europian.
Shqiptarët nuk ushqehen më me propagandë. Ata shohin mbetjet që mbulojnë qytetet dhe fshatrat. Shqiptarët shohin faturat që rriten, ndërsa shërbimi mungon. Ata shohin korrupsionin që ia ka nxirë faqen Shqipërisë në sytë e Europës.
Afera e inceneratorëve është skandali më i madh i shekullit, ku një grusht klientësh të pushtetit u pasuruan me miliona euro dhe nuk I dhanë shqiptarëve asnjë shërbim, por I lanë si populli më I varfër në Europë.
Vetëm drejtësia e Ramaformës nuk e sheh këtë aferë, por hesht për përgjegjësinë penale të Edi Ramës për inceneratorët.
Inceneratorët janë dëshmia më e qartë se Edi Rama dhe qeveria e tij nuk qeverisin për qytetarët, por për vete dhe për oligarkët. Krijimi i një institucioni qendror për menaxhimin e mbetjeve jo vetëm që centralizon më tepër pushtetin por edhe rrit mundësinë për abuzimin me fondet miliona euroshe nga Narkoqeveria. Ndërkohë miliona euro vazhdojnë të paguhen nga bashkitë për inceneratorë që nuk ekzistojnë.
Pasi vodhi zgjedhjet e 11 majit po vazhdon grabitja e pronave dhe taksave të shqiptarëve .