Capello beson tek ekipet italiane: Të katërta mund t’i shohim në 1/8-at e Champions-it

Ish-trajneri i njohur italian, Fabio Capello, ka komentuar shortin e Ligës së Kampionëve për katër skuadrat nga Serie A, Inter, Napoli, Juve dhe Atalanta, duke e cilësuar atë si të ekuilibruar dhe premtues. Sipas tij, të gjitha ekipet italiane kanë shanse reale për të kaluar në fazën e 1/8-ave të finales.

“Interi, Napoli, Juventusi dhe Atalanta mund të buzëqeshin, sepse mund të kishte shkuar shumë më keq. Shorti i Montekarlos ka qenë i ekuilibruar. Ky Champions është i arritshëm për skuadrat tona, të paraqitemi me 4 ekipe në 1/8 finale është e mundur,” – tha Capello për ‘Gazzetta dello Sport’.

Analiza e Capellos për Interin

“Interi ka në grup dy skuadra shumë të forta nga Anglia, Liverpoolin e Salah dhe Arsenalin e Gyokeres. Por konstatoj një avantazh të madh: të dyja ndeshjet do t’i ketë në ‘San Siro’. Klubet e Premier League-s jashtë fushës së tyre shpesh performojnë më dobët në aspektin psikologjik. Chivu dhe skuadra e tij duhet të besojnë se mund të përsëritin rrugëtimin e sezonit të kaluar. Zikaltrit mund ta kalojnë fazën e dytë duke hyrë nga dera kryesore e G8,” – u shpreh Capello.

Napoli dhe grupi i ekuilibruar

“Ashtu si Interi, edhe Napoli mund të synojë 1/8-at pa kaluar përmes ‘play off’-it. Shorti i ka rezervuar një grup me vështirësi mesatare, me duele të forta e interesante. De Bruyne kundër Manchester City-t të tij, Conte kundër Chelsea-t, me të cilin fitoi Premier League, janë ndeshje që premtojnë spektakël. Megjithatë, Napoli është ndërtuar për të garuar si në Serie A, ashtu edhe në Champions. Trajneri Conte ka një skuadër të thellë e me shumë cilësi, për t’i menaxhuar me ekuilibër të dyja kompeticionet,” – përfundoi Capello.