Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e LVV-së për Listën Serbe
Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë një ankesë të parashtruar nga dy anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
"Hedhet poshtë si e palejuar ankesa e parashtruar nga Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi", thuhet në aktvendimin e 28 gushtit të Supremes.
Në arsyetimin e gjykatës thuhet se duke u nisur nga fakti se Kurteshi e Krasniqi janë ankuar ndaj vendimit të PZAP-së në cilësinë e anëtarit individual të KQZ-së, të njëjtit nuk kanë të drejtë, përkatësisht nuk kanë legjitimitet që të parashtrojnë ankesë në emër të tyre personalisht, pasi që nuk janë palë të drejtpërdrejta sipas vendimit të PZAP-së.
"Kjo për faktin se sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate të drejtë për të paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-it, përveç personave që kanë interes ligjor (të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 119), ka vetëm KQZ-ja, përkatësisht zyra e saj, ashtu siç është e përcaktuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenin 119 paragrafi 2, e jo anëtarët individual të saj. Për më tepër, këta të fundit e shprehin mendimin e tyre gjatë procesit të vendimarrjes brenda KQZ-së, por nuk legjitimohen që të veprojnë si palë individuale në procedurë gjyqësore, siç është edhe rasti konkret", thuhet në aktvendim.
Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe është kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe nga Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.
Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.
Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.