Elminimi nga Champions-i, Fenerbahçe shkarkon Jose Mourinho-n
Fenerbahçe ka zyrtarizuar sot ndarjen me trajnerin portugez, José Mourinho, vetëm dy ditë pas eliminimit nga Benfica në fazën “play-off” të Champions League. Humbja 1-0 në Lisbonë i mbylli dyert e grupit kryesor (Champions) për klubin turk dhe solli fundin e aventurës së “Special One” në Stamboll.
Mourinho, i cili kishte mbërritur me shumë entuziazëm në Turqi verën e kaluar, gjatë ditëve para dhe pas ndeshjes me Benfica-n nuk i fshehu kritikat ndaj drejtuesve të klubit, sidomos për mungesën e lëvizjeve në merkato. Ai theksoi se hyrja në Champions nuk mund të ishte objektiv real kur skuadra kishte afruar vetëm dy lojtarë, madje pasi kishte përfunduar afati i regjistrimit për “play-off”.
Pavarësisht pritjes madhështore në Stamboll dhe reputacionit të tij si trajner fitues, Mourinho nuk arriti të fitonte asnjë trofe me Fenerbahçen. Në sezonin e kaluar, skuadra u rendit e dyta në kampionat, 11 pikë pas rivalit Galatasaray, u ndal në çerekfinale të Kupës së Turqisë dhe në 1/8-at e finaleve të Europa League.
Në total, tekniku portugez drejtoi 62 ndeshje, me bilanc: 37 fitore, 14 barazime dhe 11 humbje. Largimi i tij hap një kapitull të ri për klubin turk, që tashmë duhet të gjejë një pasues për të rikthyer besimin e tifozëve dhe për të synuar trofetë e munguar.