Katër herë fituesi i Tour de France pëson aksident të rëndë, në spital, por i vetëdijshëm

Chris Froome, një nga emrat më të mëdhenj të historisë së çiklizmit, është përfshirë në një aksident të rëndë rrugor gjatë një stërvitjeje pranë Saint-Raphael. Sipas raportimeve të L’Équipe, britaniku 40-vjeçar u godit nga një makinë të mërkurën dhe u transportua me helikopter në spitalin e Tolonës, ku po trajtohet në gjendje të rëndë.

Kontrollet e para mjekësore zbuluan se Froome ka pësuar një pneumotoraks, frakturë në pesë brinjë dhe në vertebrën lumbare. Pavarësisht lëndimeve serioze, ai ka qenë gjithmonë i vetëdijshëm dhe ka komunikuar me stafin e tij. Për momentin, nuk ka shenja dëmtimi në kokë, ndërsa mjekët po vlerësojnë mundësinë e një ndërhyrjeje kirurgjikale për të stabilizuar dëmtimin në shpinë.

Katër herë fitues i Tour de France (2013, 2015, 2016, 2017), Froome prej vitesh po përpiqet të rikthehet në nivele të larta pas aksidentit të rëndë në Critérium du Dauphiné më 2019, i cili i kushtëzoi pjesën tjetër të karrierës. Në kontratë me Israel-PremierTech, ai nuk ka arritur të fitojë asnjë garë që prej triumfit në Giro d’Italia 2018.

Vetë Froome ka deklaruar nga spitali se ndihet “i lumtur që është ende këtu” dhe se e pret një rrugë e gjatë rikuperimi. Karriera e tij mbetet në pikëpyetje, por vullneti dhe përvoja e një kampioni të tillë i japin ende shpresë për një rikthim.