Tottenhami pranë goditjes së madhe, Xavi Simons drejt Londrës për 60 milionë euro

Tottenhami është shumë pranë mbylljes së një prej marrëveshjeve më të rëndësishme të këtij merkatoje verore. Klubi londinez ka arritur akordin me Leipzig-un për transferimin e mesfushorit ofensiv holandez, Xavi Simons, në një operacion me vlerë mbi 51 milionë stërlina (rreth 60 milionë euro).

22-vjeçari, i njohur për teknikën, shpejtësinë dhe të qenët polivalent, ka gjetur gjithashtu marrëveshjen personale me Tottenhamin, çka tregon se transferimi është në fazat përfundimtare. Në orët e fundit, Simons është parë në Londër për të mbyllur detajet e kontratës, duke dhënë sinjalet e qarta se firma është çështje ditësh.

Karriera dhe profili i lartë

I rritur në akademinë e Barcelonës, më pas i transferuar te Paris Saint-Germain, Simons zhvilloi sezonin e fundit me Leipzig-un, ku realizoi 11 gola në 33 ndeshje mes Bundesligës dhe kompeticioneve të tjera. Ai mund të luajë si trekuartist pas sulmuesit, por edhe si anësor ofensiv, duke i dhënë trajnerit Thomas Frank një armë të re për të shtuar fantazi dhe efikasitet në sulmin e ‘Spurs’-ave.

Konkurenca e Chelsea-t dhe zgjedhja përfundimtare

Në garë për shërbimet e tij ishte edhe Chelsea, i cili shfaqi interes serioz, por duket se Simons ka zgjedhur Tottenhamin, ku pritet të bëhet një prej liderëve të projektit të ri.

Ky transferim shihet si lëvizja ideale për të ngritur nivelin e lojës së londinezëve, pas disa tentativave të dështuara për të siguruar përforcime në javët e fundit. Me ardhjen e tij, Tottenhami fiton jo vetëm një talent të madh të futbollit europian, por edhe një element që mund të bëjë diferencën në Premier League dhe në garat ndërkombëtare.