Drita, Shkëndija...., gjithçka që duhet të dini për sezonin e pestë të UEFA Conference League
UEFA Conference League hyn në edicionin e saj të pestë këtë vit, me një format tashmë të konsoliduar pas suksesit të viteve të para. Kompeticioni nisi më 10 korrik me fazën kualifikuese dhe do të kulmojë me finalen që zhvillohet më 27 maj 2026 në RB Arena të Leipzigut, stadium me kapacitet prej 47 mijë vendesh, i cili ka pritur ndeshje të Botërorit 2006 dhe të Euro 2024.
Kualifikueset dhe ekipet pjesëmarrëse
Të gjitha skuadrat e këtij sezoni hynë në garë përmes fazave kualifikuese, pa ndonjë ekip të kualifikuar direkt. Raundet kualifikuese u zhvilluan mes 10 korrikut dhe 28 gushtit. Pas përfundimit të tyre, janë përcaktuar 36 skuadrat pjesëmarrëse në fazën e ligës, ndër to disa emra me peshë në futbollin europian si:
Fiorentina (Itali), AZ Alkmaar (Holandë), Crystal Palace (Angli), Dynamo Kyiv e Shakhtar Donetsk (Ukrainë), Strasbourg (Francë), AEK Athens (Greqi), Slovan Bratislava (Sllovaki), Legia Warszawa e Lech Poznań (Poloni).
Nga Ballkani, pjesë e turneut janë edhe Drita (Kosovë), Shkëndija (Maqedoni e Veriut), Rijeka (Kroaci), Zrinjski (Bosnjë-Hercegovinë).
Formati i fazës së ligës
36 skuadrat ndahen me short më 29 gusht (sot) në katër vazo, sipas koeficientit të UEFA-s. Çdo skuadër do të luajë tetë ndeshje në total: katër në shtëpi dhe katër në transfertë, kundër tetë kundërshtarëve të ndryshëm. Në total do të luhen 144 ndeshje në fazën e ligës.
Datat kryesore të ndeshjeve
- Liga: 2 tetor, 23 tetor, 6 nëntor, 27 nëntor, 11 dhjetor, 18 dhjetor 2025.
- Play-off-et e fazës me eliminim direkt: 19 & 26 shkurt 2026.
- 1/8 finale: 12 & 19 mars 2026.
- Çerekfinalet: 9 & 16 prill 2026.
- Gjysmëfinalet: 30 prill & 7 maj 2026.
- Finalja: 27 maj 2026 në Leipzig.
Çfarë fitojnë kampionët?
Përveç trofeut simbolik prej 57.5 cm dhe peshë 11 kg, fituesi i Conference League siguron automatikisht një vend në fazën e ligës së Europa League për sezonin 2026/27, nëse nuk kualifikohet aty nga kampionati i tij.