Shëndeti, trashëgimia gjenetike dhe stili i jetesës: Çfarë sëmundjesh mund të kalojnë nga nëna tek fëmijët
Shëndeti është vlera më e madhe e një personi, të cilën shpesh e kuptojmë vetëm kur mund të jetë tepër vonë.
Ne ndikojmë shumë në shëndetin tonë me një dietë të ekuilibruar dhe një stil jetese të shëndetshëm, por edhe gjenetika ka një ndikim të caktuar në shëndet, raporton N1 Sarajevë.
Neraj Gandotra, psikiatër dhe mjek në Delphi Behavioral Health, thotë se historia familjare mund të zbulojë informacione të rëndësishme në lidhje me ndjeshmërinë e një familjeje ndaj sëmundjeve. Megjithatë, disa sëmundje trashëgohen ekskluzivisht nga nëna, shkruan Healthshots.
Osteoporoza
Osteoporoza është një sëmundje që prek gratë dhe shfaqet kryesisht pas menopauzës. Simptoma kryesore e saj është brishtësia e kockave.
“Ka prova të forta se keni një rrezik në rritje për osteoporozë nëse nëna juaj e ka atë”, thotë Todd Sontag, MD, specialist i mjekësisë familjare në Orlando Health Physician Associates. Shpesh shoqërohet me një strukturë të trashëguar të trupit me një peshë më të ulët trupore. “Nëse peshoni më pak se 54 kilogramë ose keni një indeks të masës trupore më pak se 22, mund të keni një rrezik në rritje për osteoporozë”, shton ai.
Një faktor tjetër i rëndësishëm rreziku është nëse njëri nga prindërit tuaj ka pasur një frakturë të legenit në të kaluarën. Si masë parandaluese, rekomandohet të sigurohet marrja e mjaftueshme e kalciumit, shtimi i vitaminës D në mënyrë që të përthithet siç duhet dhe në përgjithësi të sigurohet një stil jetese i shëndetshëm.
Depresioni
Një nga sëmundjet që mund të trashëgohet nga nëna është depresioni, një sëmundje mendore që prek më shumë se 300,000 njerëz në mbarë botën çdo vit. Diagnostikohet dy herë më shpesh tek gratë.
Sipas një studimi të botuar në revistën Social Psychiatry and Psychiatric Epidemiology, disa mutacione gjenetike ndodhin vetëm tek gratë. Depresioni pas lindjes është një prej tyre.
Kanceri i gjirit dhe i vezoreve
Nëse keni një histori familjare të kancerit të gjirit dhe vezoreve, mund të ketë një lidhje dhe një gjasë më të lartë për të zhvilluar këtë sëmundje, kështu që parandalimi, duke përfshirë kontrollet e rregullta, është thelbësor.
Është gjithashtu e rëndësishme të zgjidhni një stil jetese cilësor dhe të shmangni zakonet e dëmshme siç janë pirja e duhanit, konsumimi i tepërt i alkoolit dhe të ngjashme.
Diabeti
Një sëmundje tjetër që është më e zakonshme tek gratë dhe është pjesërisht e trashëgueshme është diabeti. Variantet e gjeneve të trashëguara nga nëna mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 tek gratë, sipas gjetjeve të një studimi të botuar në revistën Nature Genetics.
Përveç kësaj, faktorët e jetesës së pashëndetshme gjithashtu kanë një ndikim.
Vështirësitë me konceptimin dhe shtatzëninë
Gjithashtu mund të trashëgoni rrezikun e vështirësisë në ngjizje dhe të keni një shtatzëni të vështirë nga nëna juaj. Nëna juaj gjithashtu mund t’ju tregojë për historinë e saj të shtatzënisë, pasi kjo do të zbulojë rrezikun tuaj të mundshëm për sëmundje të caktuara.
“Nëse keni një histori familjare të diabetit, keni një rrezik më të lartë për diabet gestacional”, thotë Dr. Pamela Behrens, specialiste OB/GYN në Shkollën e Mjekësisë McGovern.
Tensioni i lartë i gjakut dhe të përzierat e të vjellat tipike që shoqërohen me shtatzëninë shpesh mund të jenë të trashëgueshme.
Sëmundjet kardiovaskulare
Gratë janë gjenetikisht të predispozuara për të ruajtur dhjamin në pjesë të ndryshme të trupit. Nëse dhjami ruhet në zonën e barkut, rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare dyfishohet.
Si rezultat, problemet shëndetësore si ataket në zemër dhe kolesteroli i lartë janë më të zakonshme. Por edhe këtu, parandalimi ka fuqi të madhe, veçanërisht shmangia e zakoneve të dëmshme, një dietë e shëndetshme dhe një stil jetese aktiv.