Një çarje pesë milionë vjeçare e zbuluar në Portugali mund të shpjegojë tërmetet e mëdha të Lisbonës

Një çarje e madhe në pllakën tektonike, rreth 200 kilometra larg bregdetit të Cabo de São Vicente (Sagres), mund të jetë përgjegjëse për tërmetet historike që kanë goditur Lisbonën, përfshirë katastrofën e vitit 1755.

Ky zbulim i ri, i bërë nga Fakulteti i Shkencave i Universitetit të Lisbonës dhe publikuar në revistën Nature Geosciences, po hedh dritë mbi një mister që i ka hutuar shkencëtarët për dekada.

Sipas studimit, çarja është formuar për të paktën pesë milionë vjet dhe lidhet me një proces të quajtur delaminim, ku pllaka tektonike ndahet në dy shtresa, duke bërë që pjesa e poshtme të fundoset në mantelin e Tokës deri në 200 kilometra thellësi. Ky proces i pazakontë është zbuluar falë matjeve me sizmometra dhe një teknike të ngjashme me “ultratingullin e Tokës”, që lejuan gjeologët të identifikojnë aktivitetin e brendshëm sizmik.

Ekspertët shpjegojnë se ky fenomen është i lidhur me Rrafshin Abyssal Ferradura, pranë malit nëndetësor Gorringe Bank, në kufirin midis pllakës euroaziatike dhe asaj afrikane. Pikërisht këtu besohet se kanë origjinën tërmeti i vitit 1969 dhe i ashtuquajturi “Tërmeti i Madh” i vitit 1755, i cili shkatërroi Lisbonën dhe vrau dhjetëra mijëra njerëz.

Profesor João Duarte, bashkautor i studimit, thekson se edhe pse kjo strukturë nuk përfaqëson një vijë të zakonshme çarjeje, ajo gjeneron presione të mjaftueshme për të shkaktuar tërmete. Modelet kompjuterike të përdorura nga studiuesit konfirmuan se procesi i delaminimit krijon kushte për akumulimin dhe çlirimin e energjisë sizmike.

Ky zbulim pritet të përmirësojë monitorimin e aktivitetit sizmik në rajon, veçanërisht pasi kabllot e reja të komunikimit nënujore që lidhin Atlantikun ofrojnë mundësi shtesë për vendosjen e sensorëve.

Tërmeti më i fundit i ndjerë në Lisbonë ndodhi më 17 shkurt 2025, me magnitudë 4.7 ballë Rihter dhe epiqendër 14 kilometra në jugperëndim të Seixal, duke kujtuar rrezikun e vazhdueshëm që qyteti mbart.