Britania, Franca dhe Gjermania nisin procedurën për rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit
Tre vendet europiane, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kanë nisur zyrtarisht procedurën për rikthimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit, të cilat ishin hequr në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, ky zhvillim vjen mes përshkallëzimit të tensioneve lidhur me programin bërthamor iranian. Lëvizja e njohur si “snapback” mund të çojë në rikthimin automatik të sanksioneve brenda 30 ditëve, nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk vendos ndryshe.
Dy javë më parë, E3 dhe palët e tjera nënshkruese të marrëveshjes së vitit 2015, paralajmëruan se do të ndërmerrnin këtë hap nëse Irani nuk do të pranonte një zgjidhje diplomatike deri në fund të gushtit.
Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nuk kanë rifilluar që nga qershori, kur SHBA-të bombarduan disa objekte bërthamore iraniane dhe Teherani ndaloi inspektorët e mbështetur nga OKB të hyjnë në ato objekte.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015, çdo vend pjesëmarrës ka të drejtë të njoftojë Këshillin e Sigurimit për shkelje të rëndësishme nga ana e Iranit dhe të kërkojë rikthimin e sanksioneve, pa pasur nevojë për votim në Këshill.
Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit, E3 ka vënë në lëvizje këtë mekanizëm. Këshilli ka tani 30 ditë kohë për të vendosur nëse do të zgjasë pezullimin e sanksioneve apo do të lejojë që ato të rikthehen automatikisht.
Irani ka paralajmëruar pasoja nëse aktivizohet mekanizmi “snapback”. Sanksionet e ashpra ekonomike që rënduan Iranin për vite me radhë u hoqën në kuadër të marrëveshjes së arritur ndërmjet Iranit dhe SHBA-ve, Britanisë, Francës, Gjermanisë, Kinës si dhe BE-së, me qëllim frenimin e programit të tij bërthamor.
Por, marrëveshja filloi të shpërbëhej pasi presidenti Donald Trump i tërhoqi SHBA-të nga pakti në vitin 2018 dhe riktheu sanksionet. Në kundërpërgjigje, Irani e intensifikoi programin e tij bërthamor, duke shkaktuar një krizë të re.
Perëndimi dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) shprehen të pavendosur për qëllimet paqësore të programit bërthamor iranian. Nga ana tjetër, Irani këmbëngul se nuk synon armë bërthamore dhe se programi i tij ka vetëm qëllime civile.