SYRI TV/ Ndahet nga jeta aktori Naun Shundi në moshën 66-vjeçare

Shuhet në moshën 66-vjeçare, aktori, regjisori dhe dramaturgu Naun Shundi. Pas luftës me një sëmundje të rëndë, aktori nuk ja doli dhe humbi jetën në Tiranë, në Spitalin “Nënë Tereza” ku dhe po kurohej së fundmi. I njohur për rolin e tij në artin shqiptar, Shundi ka luajtur në teatër më shumë se 100 role.

Ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare aktori, regjisori dhe dramaturgu i njohur shqiptar, Naun Shundi. Sëmundja e rëndë me të cilën luftoi së fundmi, i mori jetën aktorit të njohur, i cili luftoi çdo betejë, por këtë më të rëndësishmen, nuk e fitoi. Ai shkoi jashtë Shqipërisë, në Francë, për një trajtim më të specializuar, por pas qëndrimit për një kohë, Shundi u rikthye sërish në Tiranë ku po kurohej në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku edhe u shua në moshën 66-vjeçare. Lajmin për largimin nga jeta të aktorit dhe regjisorit e bëri të ditur bashkëshortja e tij, e cila tregoi rrugëtimin e vështirë të aktorit dhe më pas humbjen e betejës me sëmundjen.

Po kush ishte Naun Shundi?
Ai ka një karrierë të gjatë artistike. Në vitin 1977 ai u diplomua në regjisurë në Shkollën e Mesme të Kulturës. Në vitin 1983 diplomohet aktor në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Më pas emërohet aktor në Teatrin Kombëtar. Ndërkohë, në 1985 transferohet si regjisor në Pallatin e Kulturës “Dardania” në Bajram Curri. Nga viti 1993-2000 punoi si pedagog i mjeshtërisë së aktorit, regjisurës dhe fjalës artistike në degën e regjisë, pranë Akademisë së Arteve.

Pas shembjes së Teatrit Kombëtar, ai, së bashku me bashkëshorten, krijuan një teatër dhome në oborrin e shtëpisë së tyre në zonën e Ish-Kinostudios në Tiranë, emërtuar “Zonja e Bujtinës”. Kjo hapësirë mikpritëse përshtatet për libra, koncerte, ekspozita dhe, natyrisht, shfaqje teatrale të ngushta në audiencë. Më vonë, në këtë teatër u vuri në skenë edhe monokomedinë “Babi” – një vepër e shkruar dhe interpretuar nga vetë Shundi; ku me humor dhe dramë trajton temën e familjes dhe vlerësimit të prindërve.

Projekti i radhës i artistit ishte vënia në skenë e veprës Il commissario daltonico a teatro (“Komisari daltonik”), por nuk mundi ta realizonte. Gjatë karrierës së tij, Naun Shundi ka qenë aktor i më shumë se 100 roleve në teatër dhe 20 role në film.