VIDEO/ Familja Dhimaku mes lotëve dhe lutjeve, dy motrat humbën jetën, vëllai 10-vjeçar niset për kurim në Romë

Katër ditë pas aksidentit të rëndë që i mori jetën dy motrave Dhimaku, dhimbja në fshatin Kopaçez është e pamatshme. Shtëpia e familjes së Rizalit është e mbushur me njerëz që hyjnë e dalin mes lotësh dhe heshtjes së rëndë, për të ngushëlluar prindërit që humbën dy bijat e tyre, Rozinën 20 vjeç dhe Elivisën 22 vjeç. Vajzat u goditën për vdekje nga një automjet i drejtuar nga 23-vjeçari Kevi Norra, i cili, sipas policisë, ishte nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit në rrugën nacionale Sarandë–Delvinë.

“Kanë qenë vajza të mira, punëtore dhe të respektuara, ashtu si prindërit e tyre,” – shprehen fqinjët e familjes Dhimaku, ndërsa nënat shamizeza të fshatit pëshpërisin mes lotësh: “Mjerë kush ka këto fate të rënda.”

Ndërkohë, një dritë shprese është hapur për vogëlushin Isli, vetëm 10 vjeç, i cili prej dy vitesh e gjysmë vuan nga leucemia. Mbrëmjen e së mërkurës ai, së bashku me nënën dhe babain, u nis drejt Tiranës për t’u transferuar më pas në spitalin pediatrik “Bambino Gesu” në Romë, ku do të nisë kurimin falë ndihmës së Fondacionit “Firdeus”.

“Elvisi i vogël tashmë ka mbërritur në Romë. Shpresat janë të mëdha që ai të shërohet,” – shkruan në Facebook kreu i Fondacionit, Elvis Naçi, duke e shoqëruar postimin me foton e djalit të vogël në spital. “O Zot, shëroje Islin, jepu mjekëve sukses dhe ktheje të shëruar tek nëna dhe babai,” – shton ai, ndërsa shumë qytetarë i bashkohen lutjes për jetën e fëmijës.

Dhimbja dhe shpresa sot bashkëjetojnë në familjen Dhimaku: njëra anë e zemrës e thyer nga humbja e dy vajzave të reja, tjetra që rreh fort për shpëtimin e Islit të vogël.