Europa ka gjetur formulën e saj për ta menaxhuar Trump-in

Nga Dmytro Kuleba - NYT/

Për disa, rreshti i liderëve europianë që u përballën me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar dukej si nxënës të thirrur në zyrën e drejtorit.

Por merrni parasysh pamjen nga ana e zotit Trump, përtej tavolinës Resolute: një grup i bashkuar liderësh europianë. Vizita kolektive në Uashington, nga ky këndvështrim, mund të dukej më shumë si një shkëndijë frymëzimi diplomatik.

Europa ka gjetur formulën e saj për t'u marrë me zotin Trump për Ukrainën: Së pari, lavdërojeni. Përgëzojeni për forcën, përkushtimin ndaj paqes dhe aftësitë e tij si negociues. Së dyti, përpiquni, hap pas hapi, ta ktheni kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit, diçka që vetë Putini, pavarësisht përpjekjeve të tij më të mira, duket se nuk arrin ta bëjë.

Javën e shkuar kjo strategji funksionoi sërish. Kur takimi i zotit Trump me zotin Putin në Alaskë disa ditë më parë dukej sikur mund të minonte gjithçka për të cilën ata kishin punuar, presidenti Volodymyr Zelensky i Ukrainës dhe liderët e Britanisë, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Italisë, NATO-s dhe Komisionit Europian nxituan drejt Uashingtonit për ta tërhequr bisedën nga lëshimet territoriale dhe për ta rikthyer tek garancitë e sigurisë. Takimi që rezultoi, sipas të gjitha burimeve, ishte i ngrohtë dhe miqësor, dhe Ukrainës iu dha një shtyrje tjetër.

Europianët kanë zbuluar se, kur bëhet fjalë për ta menaxhuar zotin Trump, ata mund të bien shpejt dakord për atë që duhet bërë. Ky është progres. Problemi është se po shpenzojnë energji të mëdha vetëm për të mbajtur gjithçka në të njëjtin vend. Hapi tjetër është që këtë unitet të ri ta shndërrojnë në një pozicion force, nga i cili ata mund të udhëheqin negociatat dhe ta mbështesin Ukrainën në fushën e betejës.

Është gjithmonë befasuese të shohësh Bashkimin Europian, një nga ekonomitë më të mëdha në botë dhe tregun më të madh të vetëm, me ndikim të konsiderueshëm politik dhe potencial të prekshëm për t’u bërë një fuqi ushtarake, të kënaqet duke ndjekur, në vend se të udhëheqë. Duken se ka dy arsye për këtë: zakoni i trashëguar i nënshtrimit ndaj Amerikës dhe realiteti se të jesh një union nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh i bashkuar, madje edhe për çështjet themelore.

Për Ukrainën, Europa e ka kaluar vitin duke reaguar ndaj një presidenti amerikan që është treguar i gatshëm të kritikojë veprimet e Rusisë, por që, të paktën deri tani, nuk ka qenë i gatshëm të marrë vendime të vështira për t’i kundërshtuar ato. Diplomacia e tij në Alaskë dhe Uashington thjesht lëvizi figurat rreth e qark tavolinës së lojës, duke krijuar një përshtypje të përkohshme energjie dhe momenti. Kur mbaroi, ishte e qartë për këdo që i kushtonte vëmendje se gjithçka ishte kthyer aty ku kishte nisur.

Por kur bëhet fjalë për unitetin europian, zoti Trump ka bërë një ndryshim të vërtetë. Ndonëse ka merita për këmbënguljen që vendet europiane të kontribuojnë më shumë në mbrojtjen e tyre, ai gjithashtu, ndoshta pa qëllim, ka ndihmuar liderët europianë të fokusohen në atë për të cilin mund të bien dakord, sesa në atë që i ndan.

Merrni sërish parasysh ngjarjet e javës së shkuar. Për herë të parë, Ukraina udhëhoqi një delegacion të bashkuar europian në Shtetet e Bashkuara. Në praktikë, kishte dy mikpritës në Uashington: zoti Zelensky, i cili priti disa nga kolegët e tij europianë në Ambasadën e Ukrainës, dhe më pas zoti Trump, i cili i priti ata në Shtëpinë e Bardhë, ku u mblodhën krah për krah me zotin Zelensky, i cili mori forcë nga prania e tyre. (Polonia ishte mungesa e vetme e dukshme.)

Është e pashmangshme që një distancë e re ndan Shtetet e Bashkuara dhe Europën. Njoftimet pas takimit mund të kenë bërë që të tingëllojë sikur Europa dhe Amerika kishin arritur ndonjë marrëveshje të rëndësishme, por toni u ftoh sapo të gjithë u kthyen në shtëpi. Ajo që fillimisht ishte paraqitur si një ribashkim i partnerëve të përkushtuar ishte, në realitet, më shumë si një takim i sjellshëm mes bashkëshortëve të ftohur, të ndarë zyrtarisht, nëse jo ende të divorcuar. Dhe europianët duket se më në fund po e pranojnë që në këtë realitet të ri, ata duhet të mbështeten te njëri-tjetri.

Sigurisht, kriza të bën të përqendrosh mendjen. Nëse shpallet një armëpushim, apo edhe përfundimi formal i luftës (çfarëdo forme që kjo të marrë në terren), ekziston një rrezik i vërtetë që vendosmëria e aleatëve europianë të Ukrainës të zbutet dhe uniteti i tyre të shpërbëhet. Është e lehtë ta imagjinosh që ata të ngecin në debate mbi mënyrën e mbështetjes së Kievit pa e provokuar Rusinë ose pa e prishur një marrëveshje të brishtë paqeje.

Trauma e Europës nga luftërat e saj kontinentale dhe, më së shumti, dy luftërat botërore, i ka mësuar europianët se ndryshimi i kufijve me forcë sjell vetëm më shumë dhunë. Kjo është aq e rrënjosur, saqë zoti Zelensky mund të mbështetet tek partnerët e tij europianë që të qëndrojnë të patundur mbi çështjen e integritetit territorial.

Ai mund të jetë më pak i sigurt për aftësinë e tyre për të përmbushur angazhime të tjera që kanë marrë. Për shembull: prodhimin dhe dorëzimin e më shumë armëve, investimet më të mëdha në industrinë e mbrojtjes së Ukrainës dhe çuarjen para të Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Europa mund të ishte sot në një pozicion shumë më të fortë po të kishte kapërcyer veton e Hungarisë për pranimin e Ukrainës në union, po të kishte përshpejtuar prodhimin ushtarak në kontinent dhe ta kishte shpërndarë atë në mënyrë më të barabartë nëpër bllok, dhe po të mos kishin përfunduar muaj të tërë pune mbi garancitë e sigurisë me një njoftim se puna do të vazhdojë.

Paaftësia e Europës për të vepruar në unitet është dobësia e saj e përhershme dhe rruga drejt disfatës, përfshirë edhe në Ukrainë. Por nëse ajo arrin të bashkohet, dhe të qëndrojë e bashkuar, zoti Putin nuk do të mund të triumfojë. / New York Times - Syri.net