Skandal/ Rama varros djegësit: Riciklimi si mbulesë për aferën e shekullit

Pasi harxhoi miliona euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë, në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Europian, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria do të nisë procesin e riciklimit të mbetjeve. Rama njoftoi ngritjen e një agjensie për trajtimin e mbetjeve, duke thënë se bashkitë nuk do t’i menaxhojnë më mbetjet, por do të jenë klientë të këtij operatori, duke harxhuar të tjera miliona nga paratë e taksapaguesve.

Teksa për 11 vite dogji mbi 400 milionë euro në inceneratorët që nuk ekzistojnë, sot Kryeministri Edi Rama ka tentuar t’i vërë kapakun vjedhjes së miliona eurove me këto projekte të dështuara dhe ka prezantuar një tjetër program, që do të gllabërojë mbi 113 milionë euro, për të mbuluar e justifikuar aferën e shekullit. Ndërsa në 2014 kundërshtoi me forcë procesin e ndarjes në burim dhe riciklimit duke mbrojtur incinerimin, sot Edi Rama ka pranuar se BE e ka kundërshtuar fortë këtë proces dhe e sheh riciklimin si zgjidhje.

Kryeministri Edi Rama ka gjetur edhe zgjidhjen se si do të shpenzohen edhe 113 milionë euro të tjera, të paktën vetëm për Fierin dhe Elbasanin. Ai ka njoftuar sot krijimin e një Agjencie për Menaxhimin e Mbetjeve, dhe bashkitë do të trajtohen si klientë, ku duhet të paguajnë sërish fatura të kripura nga taksat e qytetarëve.

Në mbledhjen me kryetarët e bashkive, ku u prezantua strategjia e re të mbetjeve urbane, Edi Rama dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, u kujdesën që të mos përmendin në asnjë moment çështjen e inceneratorëve. Ministrja e Turizmit njoftoi se menaxhimi i mbetjeve do të bëhet në 10 zona, pasi 7 landfill-e nuk janë të mjaftueshme, ndërsa pranoi se ky proces është një nga më të kushtueshmit. Sipas ministres, sfida ndërlikohet nga shitja e flukseve të turistëve, ndërsa theksoi se edhe këtë herë qeveria do të mbështetet te platforma digjitale për regjistrimin e mbetjeve.