Drogë në Itali, vila në bregdet dhe Tiranë/ Pasuria e sekuestruar e Kristian Konit me vlerë mbi 26 milionë euro
Pasuritë miliona euro në emër të Kristian Konit, alias Olsi Meta, i cili 15 vite më parë kishte arritur ti shpëtonte autoriteteve italiane, janë sekuestruar nga policia e Tiranës me urdhër të prokurorisë së Tiranës.
Kristian Koni, rezulton i përfshirë në një rrjet të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë periudhës 2007–2012. Ndërkohë paratë e drogës investoheshin në pasuri të paluajtshme, e jetë luksoze në Shqipëri
Bëhet fjalë për 19 prona, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të 45-vjeçarit ose të familjarëve të tij, me vlerë tregu rreth 26 milionë e 500 mijë euro.
"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit K. K., alias O. M., 45 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Pasuritë e sekuestruara janë konkretisht: 19 prona, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të 45-vjeçarit ose të familjarëve të tij, me vlerë tregu rreth 26 milionë e 500 mijë euro.
Kush eshte Kristian Koni?
Kristian Koni, ose Olsi Meta, i cili përdorte dhe 4 emra të tjerë dyshohet se ishte koka e një grupi kriminal në Itali, që trafikonte kokainë, hashash dhe marijuanë nga Spanja, Holanda dhe Shqipëria drejt Italisë. Sipas dosjes, Kristian Koni allias Olsi Meta kishte lidhje me organizatën mafioze napolitane Kamorra.
Në vitin 2010, në një operacion të koduar ‘shefi’ Guardia di Finanza e Barit, me kërkesë të prokurorit Anti-Mafia të Barit, arrestoi katër shqiptarë në Bari dhe dy të tjerë në Napoli, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës, si pjesë e bandës së Olsi Metës, ndërsa ky i fundit arriti ti shpëtonte arrestimit.
Në krye të kësaj organizate kriminale, sipas autoriteteve italiane, qëndronte pikërisht Kristian Koni i cili arriti të arratisej.
Koni së bashku me Arben dhe Loni Palukën si dhe Artan Karajn, ishte arrestuar që në dhjetor 2007, por më pas ai doli i lirë dhe prej atëherë nuk u arrestua më, shkruante atëherë media italiane.
Lidhjet me Kamorrën
Bashkëpunëtori i tij i ngushtë në Shqipëri ishte Fran Çoku, i cili i ngarkonte mallin nga Shqipëria, për në portet e Barit dhe Brindizit. Hetimet treguan kontakte të forta të tyre me trafikantët e drogës të Kamorrës napolitane: Gaetano Marino, një anëtar i shkëputur dhe Secondigliano Santolo Carotenuto, në afërsi zonës rreth Vezuvit.
Paratë e trafikut të kokainës pastroheshin duke blerë pasuri me vlerë miliona euro nga qendra e Tiranës në Palasë.
"Ai rezulton i përfshirë në një rrjet të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë periudhës 2007–2012. Po ashtu, u dokumentua përdorimi i disa identiteteve të ndryshme, si dhe transaksione financiare të pajustifikuara në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara të personave përkatës' informoi prokuroria.
Çfarë ju sekuestrua ?
Sipas të dhënave të administruara nga sistemet zyrtare dhe burime të tjera ligjore, u evidentuan pasuri të shumta të paluajtshme, automjete luksoze dhe llogari bankare në emër të:
⦁ Shtetasit K. K.
⦁ Shtetases F.M., dhe
⦁ Subjektit juridik “Kriol.AL” sh.p.k., me përfaqësues ligjor të njëjtin shtetas.
Në total janë vendosur masa sekuestroje preventive mbi 18 pasuri të paluajtshme, dy automjete luksoze të llojit Range Rover dhe Smart, të regjistruara me targa karakteristike, si dhe llogaritë bankare të personave fizikë dhe juridikë të përfshirë në këtë hetim. Pasuritë përfshijnë prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës, Marikajt etj.
Pasuritë i kishte vendosur dhe në emër të mamasë së tij pensioniste.
Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi informoi sot policia.
Ne perditesim...