Ekstradohet Hajrulla Xhivini! Kërcënuesi i gjyqtarit ishte në garë për drejtor të policisë së shtetit

Ekstradohet nga Italia Hajrulla Xhivini. Ndaj 42-vjeçarit ishte caktuar masë sigurie “arrest në burg”, i akuzuar për kanosje ndaj një gjyqtari të Lushnjes, si dhe për protestë dhe veprime të turpshme para Gjykatës së Lartë.

Në shtator emri i Hajrulla Xhivinit ishte përfshirë edhe në listën e kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, para se të zgjidhej Ilir Proda.

42-vjeçari Xhivini akuzohet se në muajin Shkurt 2024 kishte kanosur nëpërmjet celularit, në mënyrë të përsëritur, një gjyqta të Gjykatës Administrative të Lushnjes.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e tyre, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit H. Xh., 42 vjeç, banues në Tiranë.  
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,  në vitin 2024, i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Shtetasi H. Xh. akuzohet se gjatë muajit shkurt 2024, ka kanosur në mënyrë të përsëritur, nëpërmjet celularit, për shkak të detyrës, shtetasin E. L., gjyqtar i Gjykatës Administrative Lushnjë, si dhe ka protestuar para Gjykatës së Lartë

Ndërkohë, në Shqipëri është ekstraduar nga Gjermania Brian Syzo 34 vjeç. Ndaj tij ka masë sigurie arrest në burg nga Gjykata e Korçës për shitje të dozave të kokainës në Pogradec.

Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me homologët gjermanë, u finalizua ekstradimi nga Gjermania, i shtetasit shqiptar B. S., 34 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, i ka caktuar atij, masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shtetasi B. S. akuzohet për shitje të dozave të kokainës, në qytetin e Pogradecit.