Eurot në gotë plastike! Inspektorëve të IMT-së Tiranë iu gjetën mbi 3 mijë euro

Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me operacionin e koduar “Hapësira publike“ ku u arrestuan 1 inspektor i IMT-së, 1 u shpall në kërkim ndërsa në procedim penal është një tjetër inspektor dhe menaxheri i një lokali në Tiranë.

I arrestuar është Geraldo Fuçia 33 vjeç, punonjës i IMT, bashkia Tiranë, ndërsa në kërkim është Klajdi Zhilla, 35 vjeç.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve. 

 Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.    

Lexo dhe: 'Na jep 1 mijë euro ose prishim tendën...', Përgjimet që zbuluan 4 inspektorët e IMT-së Tiranë

Njoftimi i Policise, 28 gusht 2025

Finalizohet operacioni policor i koduar “Hapësira publike“, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në drejtimin e SPAK-ut.  

Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të një procedimi të regjistruar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funskione publike“ dhe “Shpërdorimi i detyrës“, të kryera në bashkëpunim, finalizoi operacionin e koduar “Hapësira publike“.   

Në kuadër të këtij operacioni: 

-u arrestua në flagrancë shtetasi G. F., 33 vjeç, punonjës i IMT, bashkia Tiranë;  

-nisi procedimi penal për shtetasit E. Ç., 48 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; A. E., 26 vjeç, banues në Tiranë, menaxher i një lokali në Tiranë; 

-u shpall në kërkim shtetasi K. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë. 
 
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve.  

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.      

Punohet për kapjen e shtetasit K. Zh. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjme. 

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.