Diktatori inspekton edhe pllakat

Nga Karen von Guttenberg, BILD

Çdokush që ka qenë ndonjëherë “ngushtë me paratë”, e njeh këtë situatë: një banjë e ngushtë, e thjeshtë, me pllaka klasike (shumë herë të shëmtuara dhe të vogla) dhe me një teknologji të shekullit të kaluar (uji i ngrohtë vjen nga bojleri). Në një foto të re nga Koreja e Veriut, në këtë ambient shfaqet edhe diktatori Kim Jong-un.

Kim po inauguron sërish diçka. Këtë herë me një xhaketë të bardhë me mëngë të gjata dhe një lloj kapele kauboj.

Banjoja, besoni ose jo, nuk i përket një apartamenti të vogël, por më shumë një lloj vile, që ngjan pak me një fermë dhe të kujton serinë televizive “Dallas”. Ndoshta për këtë arsye Kim mban një lloj kapele kauboj.

Mediumi shtetëror i Koresë së Veriut, KCNA, e lavdëron gjithsesi si “modern”. Vila i përket një fshati të ri peshkatarësh, përfshirë edhe një fermë deti në provincën Hamgyong.

Ndërtesa u ndërtua që nga shkurti, tani gjithçka është gati – shpejtësia u arrit me punë të detyruar. Kim dukej i kënaqur me cilësinë “piktoreske”, e inspektoi gjithçka dhe madje u ul për pak në bar, me këmbët e kryqëzuara.

Thuhet se ky është “rezultati i gatishmërisë së lartë ideologjike dhe përpjekjeve të dyfishta të Ushtrisë Popullore Koreane, e cila ndjek politikën e Partisë për zhvillimin rajonal me besnikëri absolute dhe luftë të përkushtuar”.

Pas këtyre fjalëve pompoze fshihet në të vërtetë një brutalitet, me të cilin Kim Jong-un i trajton nënshtetasit e tij.

Java tjetër, ai do të vizitojë një koleg që e njeh këtë shumë mirë: udhëheqësin kinez Xi Jinping. Ai e ka ftuar atë dhe luftënxitësin Vladimir Putin në paradën e tij ushtarake më 3 shtator në Pekin. Ajo do të zhvillohet në Sheshin pranë Portës së Paqes Qiellore, ku diktatura kineze më 3 dhe 4 qershor 1989 shtypi me dhunë protestat paqësore të popullit.

Edhe kryeministri i Sllovakisë, mik i Putinit, Robert Fico, do të marrë pjesë në këtë demonstrim të fuqisë – si i vetmi përfaqësues i një vendi të BE-së.