Milani në ethet e merkatos, Nkunku afër, Dovbyk në ‘pole’, mbrojtja pret përforcime

Pas humbjes zhgënjyese ndaj Cremoneses, Milani ka rishikuar të gjithë strategjinë e merkatos dhe pritet të realizojë të paktën tri goditje deri në mbylljen e saj.

Prioriteti i parë është sulmi. Christopher Nkunku është shumë pranë nënshkrimit me kuqezinjtë. Klubi ka gjetur marrëveshjen me Chelsea-n për 40 milionë euro (37 plus tre në formë bonusesh) dhe po punon për akordin me lojtarin, i cili pritet të firmosë për një pagë afër 5 milionë euro. Ndërkohë, për rolin e qendërsulmuesit të kërkuar nga Allegri, emri i Artem Dovbyk është aktualisht më i favorizuar. Ukrainasi pritet të largohet nga Roma dhe tratativa mund të mbyllet me një huazim me pagesë. Opsioni Vlahovic mbetet i ndërlikuar për shkak të kostos së lartë.

Në dalje, Tare po punon për transferimin e Musah tek Atalanta, Jimenez te Como dhe Chukwueze te Fulham.

Mbrojtja është një tjetër prioritet. Pas shitjes së Malick Thiaw te Newcastle, kuqezinjtë kërkojnë një lojtar me eksperiencë. Emri i preferuar është Kim, ish-lojtar i Napolit dhe aktualisht te Bayerni, por kërkesa prej 35 milionë eurosh e bën operacionin shumë të vështirë. Alternativë më e arritshme është Manuel Akanji i Manchester City-t, për të cilin Milani është gati të ofrojë 15 milionë sterlina, por duhet që zvicerani të ulë ndjeshëm rrogën e tij (9 milionë euro).

Përveç tyre, në orbitën kuqezi mbeten edhe Christensen i Barcelonës dhe Beraldo i PSG-së, megjithëse profili i brazilianit nuk shihet si udhëheqësi i prapavijës që kërkon Allegri. Merkato e Milanit është ndezur dhe priten ditë të zjarrta në fund të gushtit.