Barcelona i vendos ultimatum Fermin Lopez, 48 orë për të vendosur

Fermin Lopez po kthehet në një çështje më vete te Barcelona. Për mesfushorin me tipare sulmuese ka mbërritur së fundmi në zyrat e Barcelonës një ofertë nga Chelsea, që mësohet të jetë 50 milionë euro.

Fillimisht katalanasit kanë kërkuar 70 milionë euro, por duke ditur se e kanë të nevojshme një shitje urgjente, janë dakord me shifrën 50 milionë euro.

Në anën tjetër, vetë lojtari duket se është i dyzuar. Chelsea i ka premtuar që do të ketë një rol protagonist në ekip dhe besojnë shumë tek aftësitë e tij, por ai e ka shumë të vështirë për t’u larguar nga Barcelona.

Drejtuesit e klubit katalanas i kanë dhënë 48 orë kohë në dispozicion për të vendosur për të ardhmen e tij. Edhe vetë te Barcelona janë të ndarë në lidhje me fatin e Fermin Lopez. Hansi Flick kërkon qëndrimin e lojtarit, pasi e sheh atë si një element shumë të rëndësishëm për të kryer rotacionin, por edhe për të ardhmen e ekipit.

Drejtuesit janë pro shitjes së tij, si e vetmja mënyrë për të rregulluar çështjet financiare dhe atë të regjistrimit, pasi do të rikthehej në fuqi rregulli i famshëm 1-1.