Denoncimi i Trump ndaj Soros, Balliu: Manjati i majtë ndihmoi Ramën të kapë drejtësinë dhe të shënjestrojë liderin e opozitës

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ka reaguar pas deklaratës së Presidentit Donald Trump kundër George Soros:

Sipas Balliut, Shqipëria është shembulli më i qartë i ndikimit të tij shkatërrues.

‘Drejtësia është kapur, opozita sulmohet, ndërsa Edi Rama mbrohet nga një sistem i ndërtuar për interesa të huaja’, shkruan Balliu.

Reagimi i Klevis Balliut:

Denoncimi i Presidentit Trump ndaj George Soros përfaqëson një të vërtetë madhore: një realitet të prekshëm sot dhe një dëshmi historike për nesër.

Në themel të këtij denoncimi qëndrojnë veprimtaritë destruktive të Sorosit, të cilat kanë gërryer themelet morale dhe shoqërore, duke nxitur veset dhe varësitë, duke dobësuar kohezionin social dhe duke radikalizuar pushtetin e majtë drejt formave autoritare e diktatoriale.

Shqipëria është shembulli më i qartë i këtij fenomeni. Pikërisht këtu, Soros goditi pluralizmin politik duke ndërtuar një sistem drejtësie të kapur, me të cilin shënjestroi liderin historik të opozitës, Sali Berishën, për të forcuar kukullën e tij politike, Edi Ramën.

Sot, për fat të keq, vendi ynë ka një drejtësi të projektuar sipas vizionit të këtij arkitekti të kaosit: një strukturë që nuk garanton barazi dhe ligjshmëri, por shërben si instrument i kapjes së shtetit dhe mbajtjes së pushtetit me çdo mjet.

Por historia ka treguar gjithmonë se e vërteta mund të vonojë, por nuk mungon kurrë. Perandoria e majtë radikale e ngritur nga Soros është në rënie, dhe bashkë me të po shemben njëra pas tjetrës edhe kukullat e tij në mbarë botën, përfshirë këtu edhe kukullën e tij më të privilegjuar në Shqipëri.