Giorgia Meloni flet në takimin e Riminit për emigracionin, sigurinë dhe solidaritetin ndërkombëtar

Nga Alba Kepi

Giorgia Meloni ka marrë pjesë për herë të parë si Kryeministre në  edicionin e 46-të të Meetingut të Riminit, një event kulturor, politik dhe fetar i cili që nga viti 1980 ofron një hapësirë dialogu mbi çështjet shoqërore, politike dhe kulturore. Ngjarja mblodhi politikanë, intelektualë dhe qytetarë, duke synuar reflektimin mbi sfidat e kohës dhe promovimin e vlerave humaniste dhe dialogut ndërkulturor.

Në fjalimin e saj, Meloni preku një gamë të gjerë temash, duke sjell një theks të veçantë te emigracioni. Kryeministrja nënvizoi se emigracioni i paligjshëm dhe i pakontrolluar është një dëm për çdo shoqëri, ndërsa ai i rregulluar dhe i ligjshëm mund të sjellë përfitime. Ajo u shpreh se qeveria e saj nuk do të lejojë që askush të pengojë zbatimin e ligjit, duke garantuar sigurinë e qytetarëve, luftuar trafikimin e njerëzve dhe shpëtuar jetë njerëzish. Meloni lidhi këtë qëndrim me angazhimin humanitar të Italisë, duke përmendur rolin e vendit në evakuime dhe shpëtimin e qytetarëve të pafajshëm nga zonat e krizave, duke treguar se një politikë e drejtë dhe e kontrolluar mund të bashkojë sigurinë me solidaritetin.

Gjatë fjalimit, Kryeministrja foli gjithashtu për krizat ndërkombëtare dhe situatën në Lindjen e Mesme, duke dënuar vrasjen e gazetarëve në Izrael dhe Gaza si një sulm të papranueshëm ndaj lirisë së shtypit dhe ndaj atyre që rrezikojnë jetën për të raportuar realitetin e luftës. Ajo kërkoi ndërprerjen e dhunës dhe lirimin e pengjeve nga Hamas, duke mbështetur të drejtën e vetëmbrojtjes së Izraelit, por duke theksuar se reagimi duhet të jetë proporcional dhe human.

Në fushën e politikës ndërkombëtare, Meloni u ndal te roli i Italisë dhe Europës, duke kërkuar një Europe pragmatike, që të veprojë më pak, por më mirë, dhe që të përforcojë Perëndimin me ide të reja. Ajo përmendi propozimin italian mbi modelin e NATO-s për sigurinë e Kievit si një kontribut për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Po ashtu, Kryeministrja foli për politikat sociale dhe ekonomike të qeverisë, duke prezantuar plane për shtëpi për çiftet e reja, si dhe nisma për familjet dhe bizneset italiane, duke shprehur impenjimin e qeverisë për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe mbështetur zhvillimin ekonomik.

Në përfundim, fjalimi i Melonit theksoi se qeveria e saj vlerëson rolin e njerëzve në zbatimin e politikave, duke ruajtur sigurinë e qytetarëve dhe duke ndërthurur angazhimin humanitar me politikën e emigracionit dhe stabilitetin ndërkombëtar.