SYRI TV/ Hetimi i Avokatit të Popullit: Arrestimi i Metës, poshtërues dhe degradues!
Avokati i Popullit ka publikuar raportin për Arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta. Nga ky hetim, konstatohen shkelje të rënda ligjore me mënyrën e arrestimit të Metës, duke e cilësuar sjelljen e policisë si degraduese dhe poshtëruese ndaj një figure publike. Avokati i Popullit nxjerr në pah edhe një skandal të rëndë, se Policia nuk ka mbajtur apo ka zhdukur dokumentacionin për procedurën e shoqërimit. Përdorimi i forcave speciale me maska dhe pa mjete identifikuese dhe mos zbatimi i ligjit për njoftimin e tij, janë të tjera shkelje që ngarkojnë me përgjegjësi Policinë e Shtetit.
Syri TV
Arrestimi i Ilir Metës nga Policia e Shtetit ishte degradues dhe poshtërues. Kështu e cilëson hetimi i Avokatit të Popullit procedurën e arrestimit të Ish-presidentit dhe ish-kryeparlamentarit Ilir Meta. Hetimi ka zbuluar një sërë shkeljesh të rënda ligjore dhe zhdukje të provave nga Policia e Shtetit për të mbuluar këtë trajtim degradues ndaj kreut të Partisë së Lirisë.
Ata ishin të paarmatosur dhe nuk paraqisnin dukshëm asnjë rrezik publik në autostradë në makinën e tyre, që makina pa mbishkrime policore dhe policë me maska dhe pa shenja dalluese policore të shfaqnin sjellje jo dinjitoze ndaj këtij personaliteti për publikun, duke i tërhequr ata tej përdorimit të forcës nga makina, me një trajtim degradues dhe poshtërues. Nga ana tjetër, policia, duke moszbatuar të tëra detyrimet me rigorozitet, si në frymë por edhe në gërmë, mund të sjellë pasoja serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit në vend, duke cënuar të gjithë procesin, për të cilin interesi publik është i lartë. Standardi i zbatuar për ndalimin dhe arrestimin në vijim të kryetarit të Bashkisë Tiranë ishte qartazi standardi i duhur, i mbështetur tërësisht në parashikimet ligjore në fuqi.
Por situata e konstatuar nga Avokati i Popullit është sa skandaloze dhe kriminale nga ana e Policisë së Shtetit. Për shoqërimin e Ilir Metës, Policia ka zhdukur çdo provë dhe të gjithë praktikën e arrestimit.
Nga mbikëqyrja e regjistrit të mbajtur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë nga ekspertët e Avokatit të Popullit, nuk rezulton të jetë pasqyruar mbajtja në cilësinë e të shoqëruarit të shtetasit Ilir Metaj, por janë hedhur vetëm të dhënat për shtetasin Artemis Peса. Mungesa e kësaj praktike, ka sjellë për rrjedhojë dhe faktin se për shtetasin Ilir Metaj, nuk është mbajtur dokumentacioni përkatës për plotësimin e formularit të raportit të shoqërimit nga punonjësi i policisë që ka kryer shoqërimin e personit, menjëherë pas shoqërimit të personit në mjediset e policisë/ambientin e shoqërimit, si dhe procesverbali i shoqërimit, i cili dokumenton veprimet e kryera me të shoqëruarin. Për sa më sipër, rezulton se dokumentimi i veprimeve procedurale të shoqërimit nuk ka qenë në përputhje me ligjin, ai është i pa plotë për shtetasin Ilir Metaj. Përsa më lart, konstatojmë se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk disponon dhe nuk ka vënë në dispozicion të institucionit të Avokatit të Popullit, kopje të dokumentacionit të mbajtur për rastet e shoqërimit të këtyre dy shtetasve, për të provuar veprimet e kryera nga ana e punonjësve të policisë.
Sa i përket shkeljeve në arrestim, Avokati i Popullit evidenton faktin e përdorimit pa asnjë motiv të forcave Speciale, që në fund prodhuan shoun e arrestimit forcërisht të Ilir Metës.
“Mbështetur në kuadrin ligjor e nënligjor të cituar më lart, si dhe në kthimin e përgjigjes të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nuk gjendet e argumentuar pse ndalimi dhe arrestimi i shtetasit Ilir Metaj është cilësuar si operacion special dhe paraqiste rrezikshmëri të lartë shoqërore për përfshirjen e Forcës Speciale Operacionale. Sjellim në vëmendje se gjatë kohës që kanë nisur hetimet dhe është kërkuar paraqitja e tij në organin e SPAK, ai është paraqitur vullnetarisht kur është thirrur, sikurse është pasqyruar edhe në media.”
Kjo shkelje ligjore, është avancuar edhe më shumë nga ana e punonjësve të Policisë, që nuk kishin elementet e duhura për tu identifikuar si Policë. Avokati i Popullit evidenton faktin, se ligji dhe rregullorja parashikon maskimin, por me identifikimin e nevojshëm në rastet r krimeve të rënda, ndërsa në rastin e Ilir Metës, edhe pse të panevojshme, oficerët ishin maskuar dhe nuk kishin mjetet e duhura të identifikimit.
“Në informacionin e dërguar, nuk është argumentuar gjithashtu nga Policia e Shtetit, duke qenë se kanë ndërhyrë Forca Speciale Operacionale, se cila ka qenë domosdoshmëria e prangosjes së këtyre dy shtetasve të rrethuar nga forcat e shumta të policisë. Forcat Speciale Operacionale që kanë kryer shoqërimin e shtetasve Ilir Metaj dhe Artemis Peca kanë qenë me maska dhe me jelek ku në pjesën e pasme shkruhej ‘Policia’, ndërkohë në pjesën e përparme të trupit nuk rezulton të kishin numër identifikimi dhe shenja dalluese me mbishkrimin “Policia”. Po ashtu, as mjetet e policisë nuk kanë qenë të pajisura me stema dhe logot përkatëse.”
Trajtimi denigrues ka vijuar edhe në Drejtorinë e Policisë, ku shoqëruesi i Ilir Metës, pa asnjë motiv dhe në shkelje të ligjit është mbajtur gjithë kohën i prangosur.
“Nga hetimi, konstatohet se në rastin e shtetasit Artemis Peca vendosja e prangave është kryer në momentin e shoqërimit dhe janë mbajtur edhe në ambientet e brendshme të policisë, në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore për vendosjen e tyre. Ndërkohë, nuk ka asnjë parashikim lidhur me mbajtjen e prangave të personave të shoqëruar brenda ambienteve të policisë, duke sjellë si pasojë në rastin konkret paligjshmërinë e këtij veprimi.”
I gjithë operacioni special i paligjshëm, sipas Avokatit të Popullit ishte i panevojshëm, madje ka shkelje ligjore pasi nuk janë respektuar as standardet më bazike të njoftimit paraprak të vendimit për zbatim vullnetar, por edhe në momentin e arrestimit Ilir Metës nuk i është komunikuar as vendimi por as të drejtat.
“Vendimi penal së pari duhet të vihet në ekzekutim vullnetarisht nga i dënuari në mënyrën, kohën dhe vendin e caktuar nga organi kompetent sipas këtij ligji. Vetëm në rast refuzimi të zbatimit vullnetar të tij, bëhet ekzekutimi i detyrueshëm i vendimit penal. Shtetasi Ilir Metaj duhej të ishte informuar menjëherë në momentin e ndalimit në lidhje me arsyen e ndalimit dhe arrestimit të tij, duke vënë në dispozicion urdhrin përkatës të prokurorit nga punonjësit e policisë. Këtij shtetasi duhet t'i ishin bërë me dije të drejtat e tij, si dhe t'i ishte dhënë mundësia e komunikimit me avokatin mbrojtës.”
Avokati i Popullit kërkon nga Policia e Shtetit transparencë të Plotë se përse u zgjodh kjo mënyrë degraduese e arrestimit të Ilir Metës. Edhe pse ishte një figurë e rëndësishme publike, e me të kaluar të lartë shtetërore, ai u privua edhe nga trajtimi më bazik që duhet ti bëhet çdo personi kur arrestohet.
“Është në interesin publik, që institucionet të bëjnë transparencë, nëse kjo mënyrë sjelljeje e policisë apo trajtimi “degradues" i arrestimit publik të shtetasit Ilir Metaj, përmbush standardet minimale ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e të arrestuarve, duke përfshirë edhe vendimet gjyqësore nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR). Momenti i ndalimit të ish kryetarit të Kuvendit dhe ish-Presidentit e kryetarit të një nga partive politike opozitare nuk i plotëson kushtet e trajtimit dinjitoz, detyrim ky i Policisë së Shtetit sipas akteve rregullatore në fuqi.”
Avokati i Popullit konstaton se jo vetëm Policia e Shtetit ka shkelje të rënda ligjore, por shkeljet kanë nisur që nga SPAK. Që në përpilimin e shkresës, Prokurori i çështjes ka gabuar duke iu referuar një ligji të shfuqizuar. Më pas, ndërsa Gjykata ngarkon BKH për zbatimin e vendimit, Prokurori e ka anashkaluar duke ja kaluar Policisë së Shtetit, që prodhoi edhe shoun e arrestimit.
“Në urdhrin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e vendimit penal për caktimin e masës së sigurimit është përcaktuar si bazë ligjore ligji nr. 8331, datë 21.04.1998 (i shfuqizuar) dhe jo ligji nr. 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale". Sipas po këtij urdhri, konstatohet se nga gjykata është urdhëruar Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për ekzekutimin e këtij vendimi. Në urdhrin prokurorëve të SPAK, me ekzekutimin e vendimit penal është urdhëruar të ngarkohet policia gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për gjetjen, kapjen dhe shoqërimin e shtetasit Ilir Metaj në një Institucion të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.”
Ndërsa paligjshmëria e arrestimit të Ilir Metës, u denoncua publikisht asnjë prej shkallëve të gjyqësorit nuk i mori parasysh, duke anashkaluar provat dhe certifikuan shkeljet e rënda ligjore të Policisë së Shtetit në momentin e arrestimit.