‘Deri më 2029 do e drejtoj unë qeverinë!’- Iriqi bisedon me Linda Ramën

Iriqi: - Opozitë të vërtetë kam Lindën, dmth ty, ka thënë Rama…

Linda: - Dëgjo Iriq, ato që thotë ai janë për votuesit, jo se ka të vërteta në ç’nxjerr nga goja.

Iriqi: - E ç’fiton nga një rrenë e tillë?

Linda: - Fiton vota. Edhe opozita e hedh për të në kuti se beson që s’ka opozitë.

Iriqi: - Po pse nuk del publikisht e ta përgënjeshtrosh?

Linda: - Ore ti jeton në ferrat e Shqipërisë apo andej nga Suedia? Cila televizione do transmetojë çfarë do them unë? E shumta do më nxjerrin si figurë e do thonë me fjalët e tyre që unë kam dhënë këshilla për të mirën e popullit dhe Edi i ka miratuar.

Iriqi: - Po e vërteta si është? Dëgjon ai këshilla nga ty?

Linda: - Po ku kupton ai mo? Foli sa të duash ai e ka mendjen të falë ndonjë pasuri që të fitojë përkrahje nëpër botë.

Iriqi: - Për ishullin e Sazanit e ke fjalën?

Linda: - Po ç’ishull zeza mo! Ajo është një piçkël e vogël në ato që jep e që do të japë. Nga fushat, kodrat, pyjet, malet.

Iriqi: - Po populli?

Linda: - Populli dihet, ka marrë malet.

Iriqi: - Mandatin e katërt çfarë ka ndër mend të bëjë Rama?

Linda: - Po ku ka mend ai mo? Gjithë ditën lexon libra dhe mban shënime.

Iriqi: - Çfarë shënon?

Linda: - Sharje, fyerje, shpifje. I mëson përmendësh dhe del në ekrane e pështyn mbi opozitën sikur janë sajime të tij. Ashtu e ka dhe shpirtin, katran. Ndaj…

Iriqi: - Ndaj?

Linda: - Do e marr unë drejtimin e qeverisë deri në 2029. Se ndryshe bashkë me popullin do ikim edhe ne.

Iriqi: - Po pranon ai?

Linda: - Do pranojë se i kam gjetur një libër anglez me ironi e sarkazma të mençura. Që ai do i pëlqejë shumë. Aq shumë sa do bëjë shurrën nga gëzimi dhe unë do qeveris e qetë se do të duhen disa vjet që ai t’i mësojë përmendësh.

Iriqi: - Zonja Linda…

Linda: - Zonja kryeministre më quaj. U bëre kokëtrashë dhe ti si ai?!