Arrestimi i Ilir Metës/ Cakrani: Raporti i Avokatit të Popullit demaskon shkeljet dhe mashtrimet e Policisë së Shtetit

Avokati Kujtim Cakrani ka komentuar ashpër raportin e hartuar nga Avokati i Popullit, lidhur me arrestimin e kreut të PL, Ilir Meta, duke e cilësuar atë si një dokument serioz dhe të detajuar, që pasqyron qartë realitetin dhe shkeljet procedurale të organeve shtetërore.

I ftuar në një intervistë në Syri TV, Cakrani tha se raporti nuk është një përpjekje për të ndërtuar akuza politike, por një hetim administrativ i bazuar në fakte, dokumente dhe kërkesa zyrtare dërguar institucioneve si Policia e Shtetit, SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve. Ai thekson se përgjigjet e Policisë së Shtetit janë të pavërteta dhe mashtruese, që nga momenti i arrestimit deri te shoqërimi në komisariat, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi arsyetimin e përdorimit të forcave të shumta dhe të maskuara për ndalimin e një qytetari pa rrezikshmëri të lartë.

Kujtim Cakrani: Ky nuk është një raport i fortë, është një raport që pasqyron realitetin. Raporti është një raport i mirëdetajuar, një raport i cili është një hetim administrativ 6 mujor, i cili ka nisur menjëherë pasi u publikuan pamjet e arrestimit të zotit Meta dhe Avokati i Popullit për hir të së vërtetës ka nisur procedime administrative, hetim administrativ nga ku ka kërkuar informacion nga Policia e Shtetit, SPAK dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo IEVP 313.

Në këtë drejtim, ka pyetur pa dyshim edhe zotin Meta. Por tek ky raport  vlen për t’u theksuar dhe duhet sqaruar sesi Policia e Shtetit në kthim përgjigjen që i jep Avokatit të Popullit, mashtron në të gjithë versionin e saj. Dhe mashtron duke thënë të pavërteta që nga momenti i arrestimit, deri në momentin e shoqërimit në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Sepse, Avokati i Popullit e ka pyetur atë për mënyrën dhe kush ishin punonjësit e policisë dhe kush ishte nevoja që të shkonin aty të maskuar, të paidentifikuar me numër apo mbiemër siç shkruhet zakonisht  dhe kush ishte rëndësia që të nxirrje në rrugë forcat operacionale dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë. Dhe ata kanë dhënë përgjigje të vakëta duke u bazuar në disa germa të ligjit, por nuk kanë argumentuar faktin përse kanë shkuar aty forcat operacionale dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë kur ato dalin vetëm një moment, kur arrestojnë persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe grupe kriminale e terroriste.

Ata e kanë bërë atë mënyrë sikur zoti Meta kishte pasur një ushtri dhe këta duhet të shkonin 200 policë se mos i iknin e kështu me radhë.