Ferrari me synime të larta në Holandë, Vasseur: Charles dhe Lewis janë gati
Formula 1 rikthehet këtë fundjavë pas pushimit veror dhe Ferrari synon të vazhdojë trendin pozitiv të shfaqur në garat e fundit. Pas një performance kontradiktore në Hungari, ku skuadra nisi mirë por e mbylli me zhgënjim, ekipi i Maranellos shikon me optimizëm sfidën e radhës në Zandvoort.
“Pushimi veror na dha mundësinë të rikuperojmë energjitë dhe të përgatitemi për një fazë shumë të ngarkuar të sezonit. Në Holandë duam të konfirmojmë progresin e arritur në aspektin e konkurrueshmërisë”, tha drejtuesi i skuadrës, Frédéric Vasseur.
Plani është i qartë: “Charles dhe Lewis janë gati dhe skuadra është e përqendruar maksimalisht për t’i vendosur në kushtet më të mira që nga provat zyrtare, të cilat janë vendimtare në këtë pistë ku parakalimet janë jashtëzakonisht të vështira”, shtoi ai.
Circuiti i Zandvoortit (4.259 metra, 72 xhiro) është një nga më teknikët e kampionatit. I ndërtuar mbi rërë dhe shpesh i ekspozuar ndaj erërave që sjellin papastërti në asfalt, ai ofron sfida unike për pilotët. Kthesat e famshme të pjerrëta Hugenholtzbocht (kthesa 3) dhe Arie Luyendykbocht (kthesa 14), me pjerrësi mbi 18 gradë, testojnë aftësitë e pilotëve me shpejtësi ekstreme.
Për shkak të gjerësisë së ngushtë dhe konfigurimit të ndërlikuar, pozicioni në kualifikime do të jetë vendimtar. Pista ka vetëm dy zona DRS, në fund të kthesës parabolike dhe mes kthesave 10 dhe 11, duke bërë që çdo detaj të ketë peshë maksimale në garën e fundjavës.