Alessandro Florenzi thotë mjaft: nga përqafimi me gjyshen te Kombëtarja, historia e një talenti të paracaktuar
Alessandro Florenzi ka vendosur të tërhiqet nga futbolli. Pas një sezoni të vështirë, ku u dëmtua që në gusht dhe luajti vetëm në ndeshjen e fundit të kampionatit që përfundoi në maj, ish-lojtari i Kombëtares Italiane e mbyll karrierën pas skadimit të kontratës me Milanin. Mesazhin e tij të ndarjes me futbollin ai e ndau në rrjetet sociale, duke i dhënë një përqafim virtual atij topi që ka shoqëruar gjithë jetën e tij:
"Faleminderit për gjithçka, miku im. Më mësove të dua të gjithë tifozët, nga i pari deri te i fundit, pa përjashtim. Secili prej jush më shtyu të përmirësohem dhe më ndihmoi të ngrihem pas rënieve që janë pjesë e këtij sporti, si dhe e jetës: jam me të vërtetë mirënjohës. Dua të falënderoj çdo shok, trajner, pjesëtar të stafit dhe drejtues, të gjithë pa përjashtim: mbështetja juaj dhe profesionalizmi juaj më kanë lejuar të rritem si njeri dhe si futbollist. Faleminderit, Ale, që pe diçka të veçantë tek ai vogëlushi në mes të fushës 17 vite më parë. Ti dhe familja e WSA keni qenë, jeni dhe do të jeni gjithmonë pjesë thelbësore e jetës sime, jo vetëm futbollistike. Falënderoj gjithashtu të gjithë ata që më shoqëruan në këtë udhëtim të gjatë, veçanërisht ata që punojnë heshtur pas skenave: secili prej jush ka lënë një shenjë brenda meje. Pa ju nuk do të isha personi që jam sot. Faleminderit përsëri, miku im: sot ndahemi, por ti do të jesh gjithmonë pjesa ime."
Roma është qyteti i tij, Roma skuadra e tij. Florenzi kaloi gjithë shkollën e futbollit të të rinjve të verdhekuqve deri te Primavera dhe debutoi në Serinë A në maj të 2011, duke zëvendësuar asnjë tjetër veçse Francesco Totti-n në një ndeshje kundër Sampdorias, një ëndërr për çdo tifoz. Ai u huazua te Crotone para se të kthehej te Roma, ku Zeman i dha menjëherë besim duke e vendosur në mesfushën e tij trekëndore. Ky besim u shpërblye me golin e parë në Serinë A, të shënuar në ‘San Siro’, kundër Interit.
Gjatë karrierës ai shënoi gjithsej 44 gola në kampionate, kupa dhe Kombëtare, ndër të cilët më ikonik mbetet goli në Roma-Cagliari në 2014, jo për vetë golin, por për festimin legjendar: vrapimi drejt tribunës për të përqafuar gjyshen.
Pas dhjetë vitesh te Roma, duke fituar shiritin e kapitenit dhe duke u thirrur në Kombëtare (ku regjistroi 49 ndeshje dhe u shpall kampion i Europës në 2020), Florenzi u largua nga Roma, duke u huazuar fillimisht te Valencia dhe më pas te PSG. Në 2021 iu bashkua Milanit, ku Pioli e shndërroi në mbrojtës të djathtë dhe ku fitoi titullin e vetëm të karrierës, plus Superkupën e Italisë.
Dëmtimi gjatë përgatitjeve verore të 2024 e detyroi të humbiste gjithë sezonin. Ai rikthehet vetëm më 24 maj 2025, si zëvendësues, në pjesën e dytë të ndeshjes kundër Monza-s, e fundit e kampionatit. Pas skadimit të kontratës me kuqezinjtë, Florenzi vendos të mbyllë një karrierë të shkëlqyer futbollistike.