Durrës/ Qëlluan me automatik drejt policisë gjatë ndjekjes, Gjykata lë në burg 2 të arrestuarit

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg dy të rinjt nga Shijaku që qëlluan me armë zjarri në drejtim të efektivëve, pasi policia tentoi t’i ndalonte, rreth orës 01:00 të 24 gushtit në autostradën Tiranë-Durrës.

Gjyqtari i gatshëm Rexhep Bekteshi, pasi dëgjoi prokuroren e çështjes, Erida Sisiçi dhe avokatët mbrojtës, dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Ardit Domin, e plagosur, dhe Leonard Çalin.

Të dy akuzohen për veprat penale “vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, në tentativë, “vjedhja me armë”, në tentativë dhe në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”.

Ngjarja u shënua më 24 gusht

Dy të rinjtë qëlluan me armë zjarri në drejtim të efektivëve, pasi policia tentoi t’i ndalonte në autostradën Durrës-Tiranë. Në vend që t’i bindeshin urdhrit, ata u larguan me shpejtësi me automjetin e tyre.

Ndjekja përfundoi në Vorë, ku makina doli nga rruga, por Domi dhe Çali vijuan rezistencën duke hapur zjarr me automatik ndaj policëve. Përballë kësaj situate, forcat e rendit u kundërpërgjigjën po me armë. Për pasojë, Ardit Domi mbeti i plagosur rëndë nga një plumb në qafë, ndërsa Leonard Çali u neutralizua dhe u arrestua në vend.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes u gjet një armë zjarri automatik me 2 krehra, e përdorur nga dy personat e sipërpërmendur. Ngjarja e ka zanafillën në datën 20 gusht, kur një qytetar ka raportuar në polici se i kishin vjedhur automjetin në Sektor Rinia në Durrës. Pak orë më vonë, dy të rinjtë, me automjetin e vjedhur, rreth orës 3:40 minuta të mëngjesit të datës 21 gusht, kanë grabitur me dhunë shumë e lekëve të të xhiros nga një punonjës karburanti në Sukth.

Policia është vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar të vjedhjes së makinës dhe grabitjes, të cilët i ka pikasur pikërisht mbrëmjen e 24 gushtit 2025 në autostradën Durrës-Tiranë në vendin e quajtur “Çifligu” në Sukth. Për ngjarjen vijojnë hetimet, ndërsa ende nuk është zbardhur shuma e parave që dy të rinjtë nga Shijaku grabitën në pikën e karburantit në datën 21 gusht.