Inskenoi mbytjen me kajak për të takuar të dashurën, la pas gruan dhe tre fëmijë, dënohet me burg burri në SHBA
Një burrë nga Wisconsin që inskenoi mbytjen e tij me kajak dhe la pas gruan dhe tre fëmijët për të takuar një grua në shtetin e Gjeorgjisë, u shpall fajtor të martën për pengim të një oficeri dhe u dënua me 89 ditë burg aq sa ishte edhe periudha gjatë së cilës ai i mashtroi me sukses autoritetet për vendndodhjen e tij.
Dënimi ndaj Ryan Borgwardt ishte pothuajse dy herë më i gjatë se ai që ishte rekomanduar në marrëveshjen e arritur me prokurorët.
Borgwardt, 45 vjeç, fillimisht kishte deklaruar pafajësi për kundërvajtjen që kishte të bënte me arratisjen e tij të planifikuar jashtë vendit gushtin e kaluar. Por, sipas marrëveshjes së arritur dhe bërë publike të martën, ai ndryshoi deklaratën në "nuk kundërshtoj" dhe pranoi të paguajë 30,000 dollarë në formë dëmshpërblimi për forcat e rendit, për të mbuluar shpenzimet e kërkimeve. Një deklaratë "nuk kundërshtoj" nuk është pranim fajësie, por trajtohet si e tillë për qëllimet e dënimit.
“Pendohëm thellësisht për veprimet që bëra atë natë dhe për gjithë dhimbjen që u shkaktova familjes dhe miqve,” tha Borgwardt në gjykatë para se të dënohej.
Prokurorët i kërkuan gjyqtarit të Qarkut Green Lake, Mark Slate, ta dënonte Borgwardt me vetëm 45 ditë burg. Por gjyqtari e dyfishoi gati këtë dënim, duke i dhënë 89 ditë aq sa ditët që kishte kaluar që nga momenti kur u shpall i zhdukur deri në momentin që sherifi kontaktoi me të jashtë vendit.
“Ai i pengoi autoritetet për gjithsej 89 ditë,” tha gjyqtari Slate.
Gjyqtari shtoi se një dënim më i gjatë mund të shërbejë si paralajmërim për këdo tjetër që mund të mendojë të falsifikojë vdekjen dhe të mashtrojë forcat e rendit.
Borgwardt u raportua si i zhdukur më 12 gusht 2024, pasi i kishte thënë gruas një natë më parë se do të dilte me kajak në Green Lake, rreth 160 kilometra në veriperëndim të Milwaukee.
Fillimisht, zhdukja e tij u hetua si një mbytje e mundshme. Por, pasi hetuesit nuk arritën të gjenin trupin pas 58 ditësh kërkime, hetimi u zgjerua. Të dhëna të mëvonshme – përfshirë faktin se ai kishte marrë një pasaportë të re tre muaj para zhdukjes çuan në dyshime se ai kishte falsifikuar vdekjen për të takuar një grua nga Uzbekistani me të cilën kishte komunikuar online.
Hetuesit arritën të kontaktonin me Borgwardt në nëntor dhe e bindën të kthehej në SHBA në dhjetor. Ai u vetëdorëzua dhe u akuzua për pengimin e kërkimeve për trupin e tij. Gruaja e tij prej 22 vitesh u divorcua nga ai katër muaj më vonë.
Sipas aktakuzës penale, më 11 gusht 2024, Borgwardt udhëtoi rreth 80 kilometra nga shtëpia e tij në Watertown drejt Green Lake. Gjatë natës, ai përmbysi qëllimisht kajakun në liqen, u kthye në breg me një varkë të fryrë që kishte sjellë me vete duke hedhur dokumentet e identifikimit në ujë dhe më pas udhëtoi me biçikletë elektrike rreth 112 kilometra deri në Madison. Prej andej, mori një autobus për në Toronto, fluturoi për në Paris dhe pastaj drejt “një vendi në Azi”, përpara se të mbërrinte në shtetin europian të Gjeorgjisë, sipas aktakuzës.
Ai u tha hetuesve se një grua e priti atje dhe qëndruan për disa ditë në një hotel, përpara se ai të vendosej në Gjeorgji.
“E gjithë skema e tij për të falsifikuar vdekjen kishte si qëllim të shkatërronte emocionalisht familjen për t’i shërbyer dëshirave të tij egoiste,” tha Prokurorja e Qarkut Green Lake, Gerise LaSpisa, para dhënies së dënimit.
Ajo theksoi se Borgwardt kishte marrë një polici sigurimi jete, kishte aplikuar për një pasaportë zëvendësuese dhe kishte kthyer mbrapsht një vazektomi përpara se të sajonte vdekjen, për të takuar një grua që e kishte njohur vetëm disa muaj më parë në internet.
“I pandehuri nuk e kishte parashikuar vendosmërinë dhe përkushtimin e forcave tona të rendit,” tha LaSpisa./CNN
Avokati i Borgwardt-it, Erik Johnson, tha se klienti i tij “pendohet thellësisht” për veprimet dhe se ishte kthyer në SHBA “për të bërë paqe.” Ai theksoi gjithashtu se Borgwardt e kishte paguar shumën prej 30,000 dollarësh javën e kaluar.