Debutimi i Armando Brojës, Scott Parker i kënaqur: Ka potencial të madh, goli çështje kohe

Burnley arriti të sigurojë kualifikimin në raundin e tretë të Carabao Cup pas një fitoreje dramatike ndaj Derby County (2-1), falë golit të Oliver Sonne në minutat shtesë. Por një nga lajmet më të rëndësishme të mbrëmjes ishte debutimi i Armando Brojës me fanellën e “Clarets”.

Trajneri Scott Parker, pas ndeshjes, u shpreh i kënaqur jo vetëm me rezultatin, por edhe me mënyrën se si Broja u përshtat në debutimin e tij:

“Jam i lumtur që Broja pati mundësinë të luajë dhe të tregojë cilësitë e tij. Është vetëm fillimi, por ai ka potencial të madh për t’i dhënë shumë kësaj skuadre,” tha tekniku anglez.

Parker theksoi se prania e sulmuesit shqiptar i shton alternativat në repartin ofensiv, duke e konsideruar një armë të rëndësishme për ndeshjet e ardhshme në Premier League dhe në kupë.

Pavarësisht se ndeshja nuk ishte e lehtë, trajneri vlerësoi karakterin e skuadrës dhe debutimin e Brojës si një hap pozitiv për të ardhmen:

“Armando solli energji dhe lëvizje përpara, është vetëm çështje kohe para se ai të shënojë golin e parë me Burnley,” u shpreh Parker.

Ky debutim shënon fillimin e një kapitulli të ri për Brojën, i cili synon të rilindë karrierën e tij në Premier League pas disa vështirësive me dëmtimet.