Juventusi synon dy goditje në fund të merkatos: Kolo Muani dhe Zhegrova

Juventusi nuk heq dorë nga ideja për ta rikthyer Kolo Muani në Torino. Sulmuesi francez ka dhënë miratimin e tij dhe e ka bërë të qartë dëshirën edhe te PSG. Drejtuesi Comolli e konsideron atë një prioritet dhe synon të arrijë marrëveshjen me klubin parisien.

Operacionet në dalje mund të sigurojnë buxhetin e nevojshëm për këtë rikthim. Në orët e fundit, Nottingham Forest është rikthyer me një ofertë për Nicolò Savona: 11 milionë euro, por Juventus kërkon të paktën 18 milionë dhe nuk pritet të bëjë lëshime.

Në listën e largimeve janë edhe Dusan Vlahovic dhe Nico Gonzalez. Për sulmuesin serb, bardhezinjtë presin një ofertë të fortë, pasi nuk duan ta humbasin me parametër zero. Shitja e tij do të lehtësonte ndjeshëm bilancin financiar, duke qenë se ai përfiton një pagë prej 12 milionë eurosh. Për momentin nuk ka diçka konkrete, por shpresohet për një ofertë të minutës së fundit, kryesisht nga Premier League, ku së fundmi është lidhur me Newcastle.

Edhe Nico Gonzalez është në shitje dhe Atletico Madrid po e vlerëson mundësinë për ta transferuar. Shitja e tij do të hapte rrugën për një blerje të re në krahë. Objektivi kryesor mbetet Edon Zhegrova, kosovari i lindur më 1999, për të cilin Juve është gati të investojë shumën që pritet të fitojë nga shitja e Savona-s. Megjithatë, koha është e kufizuar dhe në garë është edhe Olympique Marseille.