Inter Miami ndalet në barazim pa Messin, Busquets lë të hapur të ardhmen
Inter Miami nuk shkoi më shumë se një barazim në Washington (1-1 me DC United), në një ndeshje ku mungoi sërish Lionel Messi. Përpara takimit, në qendër të vëmendjes ishte Sergio Busquets, i cili foli hapur për të ardhmen e tij. Mesfushori katalanas, që iu bashkua skuadrës së Floridës në korrik 2023 dhe ka kontratë deri në fund të këtij sezoni, pranoi se ende nuk ka vendosur se çfarë do të ndodhë më pas, por la të kuptohet se është shumë më pranë tërheqjes sesa vazhdimit të karrierës.
“Kur u largova nga Barcelona, e dija se nuk do të kthehesha më në Spanjë apo Europë. Jam në një moshë ku fundi i karrierës është më afër se vazhdimi i saj”, tha ai, duke shtuar se ende nuk ka një vendim për rinovimin apo pensionimin.
Inter Miami përballet me Orlando City-n në gjysmëfinalen e Leagues Cup, një duel që ka krijuar rivalitet të fortë në Florida. Orlando ka fituar dy ndeshjet e para të sezonit kundër “The Herons” me rezultatet 3-0 dhe 4-1. Busquets pranoi vështirësitë, por u shpreh optimist se luajtja në shtëpi mund të jetë një avantazh: “Duhet të jemi më solidë dhe të mos u japim kaq shumë hapësira”.
Ndërkohë, dilema më e madhe për Interin e Miami mbetet aktivizimi ose jo i Lionel Messit. Kapiteni argjentinas u dëmtua më 2 gusht ndaj Necaxa-s dhe ka munguar në katër ndeshje radhazi. Ai u stërvit me grupin ditën e djeshme, ndërsa stafi teknik do të vendosë nëse do të grumbullohet për gjysmëfinalen.
Ky takim do të përcaktojë kush do të përballet me fituesin mes LA Galaxy dhe Seattle Sounders në finalen e madhe të Leagues Cup.