Kompania gjermane planifikon të prodhojë barut dhe predha artilerie në Bullgari

Kompania gjermane, Rheinmetall planifikon të prodhojë barut dhe predha artilerie 155-milimetërshe në Bullgari, bazuar në dy marrëveshje për investim të përbashkët me vlerë mbi një miliard euro, ka njoftuar sot ky gjigant evropian i mbrojtjes.

Bojko Borisov, kreu i partisë qeverisëse bullgare të qendrës së djathtë GERB, njoftoi në Facebook se ishte takuar me drejtorin ekzekutiv të Rheinmetallit, Armin Papperger, në selinë e kompanisë në Dyseldorf për të diskutuar rreth dy fabrikave të përbashkëta.

Borisov kujtoi se për herë të parë kishte filluar të fliste me Papperger në mars për një mundësi bashkëprodhimi, dhe se tani Bullgaria dhe Rheinmetall po përgatisin planet për prodhimin e barutit dhe mbushjeve, si dhe të predhave 155-milimetërshe, në përputhje me standardet e NATO-s. Pritet që marrëveshjet të finalizohen brenda tre javëve të ardhshme.