VIDEO/ Zjarr i madh në qendër të Peshkopisë, digjet një pallat trekatësh, evakuohen banorët

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një pallat trekatësh në qendër të Peshkopisë rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm. Flakët kanë nisur nga kati i tretë i godinës dhe janë përhapur me shpejtësi, duke shkrumbuar të gjithë ndërtesën.

Menjëherë pas sinjalizimit, forcat zjarrfikëse dhe policia kanë mbërritur në vendngjarje, ku është bërë evakuimi i banorëve. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndonëse dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Zjarri ka shkaktuar panik te banorët e zonës, pasi pallati ndodhej në një zonë të populluar dhe me ndërtesa të tjera shumë pranë njëra-tjetrës.

Shkaqet e zjarrit ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por dyshimet e para lidhen me një shkëndijë elektrike. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Dibër/Informacion paraprak

Rreth orës 02:10, në qytetin e Peshkopisë, ka rënë zjarr në një apartament në katin nr 4, të një pallati, ku si pasojë zjarri është përhapur edhe në disa apartamente të tjera që ndodheshin në këtë kat.

Shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë evakuuar banorët e pallatit, si dhe kanë bërë të mundur shuarjen e plotë të flakëve.

Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.  

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit.