Inter Primavera fiton Superkupën, portieri i Shqipërisë U-19, Taho, protagonist në triumf
Inter Primavera ka fituar Superkupën e Italisë në një finale dramatike ndaj Cagliarit, të zhvilluar në “Arena Civica” të Milanos. Sfida e rregullt u mbyll 2-2, ndërsa gjithçka u vendos nga penalltitë, ku djemtë e Benito Carbone-s triumfuan falë vendosmërisë dhe qetësisë.
Cagliari kaloi i pari në avantazh me golin e Trepy, por Mosconi riktheu ekuilibrin. Skuadra sarde nuk u dorëzua dhe Mendy shënoi golin e dytë, por në minutën e 83-të Lavelli barazoi sërish, duke u shpallur më pas edhe “Lojtari i ndeshjes”. Me rezultatin 2-2 nuk pati kohë shtesë dhe takimi shkoi direkt në penallti.
Në momentin vendimtar, në skenë doli portieri shqiptar, Kristian Taho, pjesë e përfaqësueses U-19 të Shqipërisë. Pas një gabimi që ndikoi në golin e parë të Cagliarit, ai reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke pritur penalltinë vendimtare të Liteta-s dhe duke i dhënë mundësi shokut të skuadrës, Zarate, të shënonte penalltinë e fitores.
Ky sukses jo vetëm i jep Interit Primavera një tjetër trofe prestigjioz, por nënvizon edhe rolin e rëndësishëm që lojtarët shqiptarë po kanë në futbollin italian. Për Tahon, ky është një hap i madh përpara, duke treguar se përfaqësuesja U-19 e Shqipërisë ka në radhët e saj një talent të spikatur mes shtyllave.