VIDEO-SYRI TV/ Konstituohet Kuvendi i Kosovës, PDK voton për zgjedhjen e Dimal Bashës

 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur sot kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës, duke marrë 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime, në një seancë që i dha fund pesë muajve bllokadë institucionale pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Zgjedhja e tij i hapi rrugën konstituimit të plotë të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, duke mbyllur një periudhë të gjatë krize politike.

Mbështetja për Bashën erdhi jo vetëm nga radhët e Vetëvendosjes, por edhe nga një pjesë e deputetëve të PDK-së, AAK-së dhe disa përfaqësues të pakicave, ndërsa LDK dhe Lista Serbe votuan kundër.

Në fjalimin e tij të parë si kryetar, Basha falënderoi deputetët për besimin e dhënë dhe bëri thirrje për bashkëpunim ndërmjet forcave politike, duke theksuar se dialogu dhe uniteti janë të domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës.

Pas votimit, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se nuk ishte i lumtur me këtë rezultat, por se partia e tij mbajti fjalën e dhënë për të mundësuar funksionimin e institucioneve.

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, reagoi ashpër duke e quajtur vendimin fitore të injorancës dhe gabim të pafalshëm të atyre që e mbështetën.

‘Një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj.

Gjithsesi ky është niveli i tyre. Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës.

LDK aspiron më lartë.

Kosova duhet të aspirojë lartë. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë.’

Partitë më të mëdha shqiptare në Kosovë propozuan emrat e tyre për nënkryetarë të Kuvendit. Kryetari Dimal Basha ka bërë të ditur se tre partitë më të mëdha kanë arritur konsensus për votim të nënkryetarëve në pako.

Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike janë zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës.

Pro votimit të tyre, ishin 101 deputetë. Nëntë të Listës Serbe abstenuan.